Opozita – Qeverisë, jepni dorëheqje!
Fushata e kushtueshme dhe e dështuar e Thaçit&CO. Lidershipi mashtrues kosovar të mbajë përgjegjësi
“Është dështim i Qeverisë dhe i të gjitha segmenteve të saj, të cilët tërë kohën me koketim dhe me plot krenari infantile, me plot naivitet e propagandonin këtë çështje si punë të kryer, sepse tanimë i kanë votat e sigurta dhe me patjetër Kosova do të bëhet anëtare e UNESCO-s”, tha analisti Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”
Fushata pompoze e Qeverisë kosovare për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dhe lobimi i dështuar jo vetëm te vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe te disa vende që Kosovën e kanë pranuar si shtet të pavarur, sipas opozitës kosovare dhe analistëve, është një argument i mjaftueshëm që flet se ky koalicion, PDK-LDK, ka dërguar imazh të keq edhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas tyre, Qeveria aktuale nuk e ka besimin as te shtetet mike që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj është një përgjegjësi morale dhe etike që këta njerëz të japin dorëheqje dhe të lirojnë rrugë për zgjedhje të reja dhe krijimin e një Qeverie të re, me një lidership të ri që do ta zgjedhë vota e lirë e qytetarëve. “Të gjithë jemi dëshmitarë për vizitat e shumta të ministrit të Punëve të Jashtme, ish- kryeministrit Thaçi, ministrit të Integrimeve dhe shumë ministrave të tjerë nëpër vende të ndryshme, që me paratë e buxhetit të shtetit të varfër të Kosovës, kanë qëndruar gjithandej nëpër botë, gjoja se janë duke lobuar për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, dhe atje kanë harxhuar me mijëra euro, por në fund doli ky rezultat, që është vetëm edhe një mashtrim i radhës i qytetarëve të Kosovës nga kjo Qeveri kriminale”, thotë deputetja Teuta Haxhiu nga AAK-ja./kosova sot/

