Opozita proteston larg Qeverisë

Tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe “Nisma për Kosovën”, më 28 nëntor nuk do të protestojnë si zakonisht afër objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kjo, siç thonë ata, vetëm për t’iu shmangur provokimeve nga qeveritarët.
Vendtakimi i tyre këtë herë do të jetë sheshi “Zahir Pajaziti”, në afërsi të hotelit “Grand” në Prishtinë, ku do t’i kundërshtojnë marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë për “Zërin” se opozita më 28 nëntor do të manifestojë për t’i kundërshtuar marrëveshjet e arritura.
“Bëhet fjalë për një takim publik, ku ne bashkërisht do të manifestojmë vullnetin tonë në mbrojtje të Republikës, pra në kundërshtim të Marrëveshjes për ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionit me Malin e Zi”, ka deklaruar Frashër Krasniqi./zeri/