Opozita po defaktorizohet

Transferet në kampin opozitar, shenja krize.
“Përçarja e opozitës dhe lënia në gjysmën e rrugës të kauzës 7- mujore, anulimi i protestës së marsit, largimi i figurave me ndikim në skenën politike, e bëjnë opozitën joserioze karshi qytetarëve të Kosovës. Me këto veprime jo të menduara mirë opozita ka dhënë një mesazh të keq, por që në zgjedhjet e ardhshme kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë”, ka thënë analisti Faik Krasniqi.
Qeverisje të dinjitetshme, për shtet me sovranitet, kundër marrëveshjeve të dëmshme, shkapjen e institucioneve nga krimi dhe korrupsioni, ishin zotimet e opozitës së bashkuar për shtatë muaj sa ishte bashkë. Në sytë e qytetarëve të Kosovës opozita e bashkuar shihej si shpresë për largimin e këtij pushteti dhe për një qeverisje të dinjitetshme, por tani e njëjta opozitë ka filluar të rrezikohet seriozisht. Analistët politikë konsiderojnë se defaktorizimi dhe humbja e fuqisë politike në radhët e opozitës ta filluar të shpërthej si pasojë e mungesës së demokracisë së brendshme politike, sjelljes arbitrare të liderëve politikë dhe të klientelave servile përreth liderëve partiakë. “Ngufatja e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe brenda subjekteve opozitare ka shkaktuar situata, ku në të shumtën e rasteve të anashkalohen individët e caktuar dhe vlerat demokratike nga proceset e vendimmarrjes, për të mos u ndalur me kaq, për të vazhduar ushtrimin e formave të shantazhit dhe kërcënimeve deri në largimin përfundimtar të individëve të caktuar nga partia!
Si rezultat i kësaj, muajve dhe javëve të fundit, përveç ndarjes fizike ka ardhur deri të defaktorizimi dhe humbja e fuqisë politike të subjekteve opozitare”, ka thënë analisti politik, Florim Zeqa. Privatizimi i partive Edhe për Adlum Ramadanin brishtësia dhe jofunksionaliteti brenda subjekteve politike opozitare e ka zbehur rolin e opozitës. “Shfaqja autoritative e liderëve të subjekteve politike, e përcjellë në njëfarë forme me tendencat e ashpërsisë ndaj bashkë-aktorëve politikë po rrezikon njëkohësisht defaktorizimin dhe humbjen e fuqisë politike.
Zhvillimet e fundit politike sollën në skenë një veprim që për njohësit e politikës thuajse ishte i pritshëm, ajo e tërheqjes nga subjektet politike e disa prej figurave lobuese dhe të rëndë- sishme të atyre subjekteve, kjo për faktin se interesat klanore të udhëheqësve privuan dhe u munduan të shkelin konceptet e atyre individëve, diskursi politik i të cilëve fatkeqësisht nuk ua shtoi aq sa dëshiruan apetitin për të ndarë të njëjtën rrugë drejt pushtetit’, tha Ramadani për “Kosova Sot”.