Opozita nuk lëshon pe – të vendosur për t’i kundërshtuar marrëveshjet

Pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë saj gjatë ditës së sotme, krerët e partive opozitare kanë dalë me një konferencë të përbashkët.
Kreu i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri ka thënë se asnjë ligj nuk mund të miratohet duke u fshehur, përfshirë këtu edhe buxhetin e Kosovës.
“Asnjë ligji i rëndësishëm siç është buxheti nuk mund të miratohet duke u fshehur. Dhe duke mos lejuar një pjesë të deputetëve të marrin pjesë”, ka thënë Ymeri.
Ai po ashtu ka thënë se qëllimi i opozitës nuk është ardhja në pushtet, por anulimi i marrëveshjeve.
“Pushteti po thotë se opozita e ka për qëllim ta marrë pushtetin dhe të vijë në pushtet në këtë formë, prandaj ne i ftojmë ata që ta testojnë opozitën, pra le t’i anuloj marrëveshjet dhe do të shohin qëllimin e opozitës”, ka deklaruar Ymeri, raporton “Zëri”.
Ndërsa kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova po kalon nëpër rrethana të vështira dhe se opozita duhet t’ia bëj të qartë qytetarëve se është duke luftuar për Republikën.
“Po kalojmë në rrethana të vështira dhe ne si opozitë dëshirojmë t’iu bëjmë të qartë qytetarëve që ne po luftojmë për republikën. Kjo është betejë për ta rikthyer republikën”, ka deklaruar Limaj.
E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës PDK-së dhe LDK-së, që siç deklaroi ai, të mos e çojnë Kosovën drejt thellimit të krizës.
“Ne jemi të vendosur për ti kundërshtuar dy marrëveshjet. S’ka normalitet pa zhbërjen e këtyre marrëveshjeve. Iu bëjmë ftesë PDK-së dhe LDK-së që të mos e çojnë Kosovën drejt thellimit të krizës”, ka deklaruar Haradinaj.