Eko Higjiena

Opozita: Nuk kemi kurrfarë arsye për të ndryshuar sjelljet

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës përfundoi në një sallë të improvizuar e jo siç ishim mësuar ta shohim zakonisht në sallën kryesore, e kjo për arsye se opozita vazhdimisht bllokoi seancat plenare.

Tani më kur pritet që Kryesia e Kuvendit të caktojë datën për fillimin e seancave të reja plenare, opozita ende është e një mendje sa i përket bllokimit të tyre.

Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur haptazi se opozita nuk ka kurrfarë arsye për të ndryshuar sjelljen, duke theksuar se është qeveria ajo që duhet të ndryshojë.

Të paktën kështu ka thënë zëdhënësi i kësaj lëvizje, Frashër Krasniqi.

“Janë mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit; Gjykata Kushtetuese e ka shpallur “Zajednicën” jo kushtetuese; është mbajtur një protestë që ishte më e madhja që nga paslufta në Kosovë… kurse Qeveria Mustafa-Thaçi vazhdon insistimit që të zbatojë “Zajednicën” dhe demarkacionin”, ka thënë Krasniqi.

Më tej ai ka shtuar se janë shumë të interesuar që situata të mos tensionohet edhe më tutje.

“Prandaj po i bëjmë thirrje qeverisë që të reflektojë dhe t’i tërheqë marrëveshjet e të japë dorëheqje. Nëse qeveria nuk e merr parasysh vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur në mënyra të ndryshme, atëherë ne do të veprojmë edhe më intensivisht në kundërshtim të kësaj”, u shpreh Krasniqi.

Qëndrim të njëjtë kanë edhe në partinë e Fatmir Limajt.

Në këtë parti thonë se përgjegjëse për bllokimin e punës së Kuvendit është qeveria e jo opozita.

Bilall Sherifi nga ky subjekt ka thënë se qeveria në muajin gusht të vitit të kaluar nënshkroi dy marrëveshje tepër të dëmshme dhe kundër kushtetuese për vendin.

Uji Dea

“Veprimet e opozitës kishin për qëllim të detyrojnë qeverinë të tërhiqet nga këto marrëveshje. Pra, pamundësimi i zhvillimit normal të seancave nuk ishte dhe nuk është qëllim në vete, por mjet për të detyruar qeverinë të reflektojë. Prandaj them se përgjegjëse për tërë këtë është qeveria”, ka thënë Sherifi.

Ai më pas ka shtuar se pas vendimit të Kushtetueses e cila konstatoi se qeveria ka nënshkruar një marrëveshje kundër kushtetuese, kjo legjislaturë mund dhe duhet të mbajë vetëm edhe një seancë, në të cilën do të kishte vetëm një pikë të rendit të ditës: Shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

“Seancat tjera me tjetër rend të ditës do të kenë të njëjtin fat sikur seancat në sesionin e kaluar. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar në tërësi kauzat e opozitës. Tani çdo tendencë për tu bërë i shurdhër dhe i verbër përballë këtij realiteti të ri, vetëm sa do ta thellojë edhe më shumë krizën politike në vend. Vetëm një proces i ri rilegjitimimi i subjekteve politike përmes zgjedhjeve, do të mund ta kthente vendin në rrjedha normale”, është shprehur Sherifi, duke shtuar se sa i përket metodave të veprimit, ajo është çështje që do të vendoset në kohën e duhur.

“Ajo që sot mund të konfirmoj është fakti se nuk do të heqim dorë nga protestat brenda institucioneve”, tha Sherifi.

Si pasojë e veprime të opozitës në Kuvend, shumë deputetë përfunduan në pranga ku disa nga ta ende vazhdojnë të jenë në arrest shtëpiak.

E një fat i tillë do të mund ta ndjekë sërish opozitën nëse vazhdojnë ti përsërisin veprimet e njëjta siç edhe potencuan vetë.

Lidhur me këtë çështje, Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje ka theksuar se kjo gjendje e represionit qeveritar nuk mund të vazhdojë.

“Populli i Kosovës dëshmoi që nuk e pranon më këtë qeveri dhe projektet e saj. Populli i Kosovës nuk do të durojë as arrestimin e opozitës, në mbrojtje të “Zajednicës”. Çdo veprim i tillë i mundshëm do ta tensionojë edhe më shumë situatën”, ka thënë Krasniqi.

E në anën tjetër, Bilall Sherifi deputet i Nismës ka thënë se rezistenca e opozitës kundër kësaj qeverie, e cila, tanimë është konstatuar se ka shkelë Kushtetutën, do të vazhdojë pa marrë parasysh çmimin që duhet paguar, duke kërkuar nga qeveria që të heq nga mendja njëherë dhe përgjithmonë se mund ta nënshtrojë opozitën dhe popullin duke i arrestuar deputetët apo duke shtypur protestat.

“Nëse kjo qeveri nuk do të tregojë gatishmëri që përmes zgjedhjeve të kthehet sërish te populli, atëherë të jeni të sigurt që populli do të shkojë te ata. Pra, thënë ndryshe, pas protestës masive të 9 janarit, takimi i kësaj qeverie me popullin tanimë është i pashmangshëm. Porse, a do të shkojë qeveria te populli apo populli te qeveria, këtë e ka në dorë ekskluzivisht qeveria”, tha Sherifi. /Indeksonline/