Opozita nuk ka vend për dialog me Qeverinë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk ka vend për dialog në mes të opozitës dhe Qeverisë. Sipas tij, e vetmja zgjidhje është që Qeveria të heqë dorë nga zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë.

Selimi, gjithashtu, ka thënë se kërcënimet se opozitarët mund të largohen nga salla e Kuvendit nga ana e sigurimit, nuk i frikëson aspak.

“Mendoj që nuk është zgjidhje e mirë, por sidoqoftë nëse na kërcënojnë që me sigurim dhe me forca policore do të na largojnë nga Kuvendi, kjo nuk na kthen prapa aspak, përkundrazi ne e dimë që ata e kanë forcën, por ne e kemi të drejtën. Kjo çfarë kanë deklaruar ata është kërcënim, por ne nuk e kemi hallin e kërcënimeve, siç thotë populli për kërcënime pesë pare nuk i japim”, është shprehur Selimi.

Kurse, shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se opozita nuk tërhiqet nga kërkesat që ka dhe se dialogu në mes të opozitës dhe Qeverisë tani nuk mund të bëhet pasi tashmë është vonë për dialog.

Ndërsa e pyetur sesi i komenton deklaratat e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, se Kryesia e Kuvendit mund të kërkojë nga organet e sigurisë që të krijohen kushte për vazhdimin e seancës, Kadaj-Bujupi ka thënë se demokracia nuk mund të instalohet përmes masave të dhunshme.

Uji Dea

“Nuk i komentoj deklaratat e të tjerëve, por mund të them se demokracia në vend nuk mund të instalohet përmes masave të dhunshme”, ka shtuar Kadaj-Bujupi.

Në anën tjetër, analisti, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se nuk ka ndonjë zgjidhje të shpejtë, pasi, sipas tij, qëndrimet e të dyja palëve janë shumë të ngurta, opozita kërkon refuzimin e marrëveshjeve, ndërsa Qeveria e mohon këtë opsion.

Mushkolaj ka thënë se ekziston mundësia që të ketë masa të dhunshme jashtë Kuvendit.

“Qëllimi i opozitës është që pas bllokadës në Kuvend të provojë që të animojë sa më shumë njerëz që të dalin në rrugë. Qëllimi është diskreditimi i kryeministrit Mustafa, pasi po shihet se opozita ende nuk ia ka falur që e quan tradhti nga koha e VLAN-it. Nëse vazhdon kjo situatë në Kuvend sigurisht se mund të priten edhe veprime të pakëndshme në rrugë nga ana e opozitës, jo shumë për nga numri i qytetarëve, por mund të ketë veprime të dhunshme”, ka vlerësuar Mushkolaj. Sipas tij, në këtë situatë zgjidhja mund të gjendet në dialog, ku presidentja do të mundë të luante një rol të pajtimit./zeri/