Fundamenti

Opozita nuk dorëzohet, pret rrëzimin e qeverisë për t’u ankuar në Komisionin e Venedikut

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për hedhjen poshtë të ankesave të opozitës për Gjykatën Speciale, nuk i ka befasuar të tri partitë opozitare në Kosovë.

Anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, në një prononcim për ORAinfo, ka thënë se opozita ka qenë e vetëdijshme për refuzimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesën e tyre.

“Ky sistem i rëndësishëm për sistemin tonë ligjor dhe kushtetues ka kohë që ka pushuar në kryerjen e obligimeve të tija kushtetuese, duke pasur parasysh të gjitha këto fatkeqësisht edhe ky vendim i Gjykatës për ne nuk është i papritur. Gjykata Kushtetuese duke qenë e vetëdijshme se po ta shpallnin kërkesën e opozitës të pranueshme ajo nuk do të mund t’i rrëzonte poshtë argumentet e saj, ajo e zgjodhi rrugën e shpalljes së kërkesave të opozitës si të papranueshme”, ka thënë Sherifi.

Ai ka dërguar kritika kundrejt Kushtetueses se ajo po legjitimon vetëm vendimet e qeveritarëve dhe së është bërë gardian e vendimeve të qeverisë.

Mobi Casa

“Gjykata Kushtetuese deri më tani ka legjitimuar vetëm vendimet e qeveritarëve dhe ka dëshmuar se në vend se të jetë gardian i kushtetutës është shndërruar në gardian të vendimeve të qeverisë dhe të politikanëve”, ka thënë ai.

Megjithatë, Sherifi ka bërë të ditur se opozita nuk do të ndalet. Ajo kësaj radhe do të pres rrëzimin e qeverisë që ankesën e saj ta dërgoj në Komisionin e Venedikut, në të cilin do të kërkoj përgjigje për ankesën e asj lidhur me ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.

“Në aspektin kushtetues, vendimi është çështje e mbyllur. Tani mbetën instanca tjera siç është Komisioni i Venedikut që në momentin kur qeveria e Kosovës të ndërrohet nga qytetarët e vendit, kjo çështje do të dërgohet në instanca të tjera jashtë vendit”, ka thënë Sherifi për ORAinfo.

Kujtojmë se opozita kohë më parë kishte pretenduar se Qeveria përmes deputetëve kishte bërë ndryshimet kushtetuese në mënyrë jo të rregullt. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është publikuar sot.