Opozita: Nuk dialogojmë me shkelësit e Kushtetutës

Partitë opozitare nuk e kanë ndërmend që t’i përgjigjen ftesës së Partisë Demokratike të Kosovës për dialog.
Lëvizja “Vetëvendosje” në mënyrë kategorike e ka kundërshtuar ftesën që ua ka bërë PDK-ja subjekteve opozitare që të ulen dhe të bisedojnë për daljen nga kriza politike.
Zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Frashër Krasniqi, ka deklaruar për “zeri.info” se opozita nuk ka se çfarë të dialogojë, siç tha ai, me shkelësit e Kushtetutës.
“Koalicioni qeverisës ka shkelur Kushtetutën në 23 nene të saj. Nuk kemi çka të dialogojmë me shkelësit e Kushtetutës. Ata duhet të dorëhiqen dhe të heqin dorë nga marrëveshjet. S’ka rrugë tjetër për zgjidhjen e krizës”, ka deklaruar Krasniqi për “Zërin”.
Bilall Sherifi, sekretari i “Nismës për Kosovën”, ka thënë se tani ka vend vetëm për një lloj të dialogut, atë për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe asnjë dialog tjetër.
“Gjërat kanë rendin e tyre. Ata që nga arritja e dy marrëveshjeve të dëmshme për vendin, atë për “Zajednicën” dhe për demarkacionin me Malin e Zi, në vazhdimësi kanë deklaruar se marrëveshjet janë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Në funksion të kësaj ata burgosën deputetë, invaduan selinë e LVV-së. Pra, nuk lanë asgjë pa bërë për të mbrojtur vendimet dhe pushtetin e tyre. Tani, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka ardhur koha për rilegjitimim të akterëve të skenës politike. Pra thënë ndryshe, tani ka vend vetëm për një lloj të dialogut, atë për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Pra, pas gjithë kësaj që ka ndodhur ka ardhur koha për takim me popullin përmes zgjedhjeve. Nëse Qeveria refuzon të shkojë te populli, atëherë populli do të shkojë te ajo”, ka deklaruar Sherifi për “Zërin”.