Opozita ngulë këmbë, ulemi në tavolinë vetëm për caktimin e datës së zgjedhjeve

/ 2 minuta lexim

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se tashmë janë gati bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në vend. E lidhur me këtë deklaratë të Haliti, sekretari organizativ i Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë për Indeksonline se subjekti nga ai vjen është i gatshëm të bisedojë që sa më parë të gjendet zgjidhja për daljen nga kriza politike.

Mirëpo Sherifi ka theksuar se kushti i vetëm për të diskutuar për këtë çështje mbeten zgjedhjet e parakohshme. “Nisma në vazhdimësi është deklaruar se është e gatshme të bisedojë për zgjidhjen e krizës politike nëse këto bisedime e dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Sherifi, duke shtuar se vetëm zgjedhjet e parakohshme i japin fund krizës politike në të cilën gjendet vendi që nga 25 gushti i vitit 2015.

UBT

E për dallim nga Nisma në partinë e Ramush Haradinajt nuk kanë qenë të gatshëm të komentojnë lidhur me deklaratën e Xhavit Halitit me arsyetimin se ajo është vetëm një opinion i tij. Kështu të paktën është shprehu anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj.

“Pak a shumë qëndrimet tona janë të qarta, dhe të gjitha këto janë deklarata publike fundi i fundit Xhavit Haliti nuk është as kryetar i PDK-së as shef i Grupit Parlamentar është vetëm një opinion i tij që unë nuk kam asnjë arsye ta komentoj”, ka thënë Nitaj për Indeksonline. Vendi vazhdon të mbetet në krizë të thellë politike tash e tetë muaj ku pavarësisht pjekjeve për të gjetur një zgjidhje një gjë e tillë nuk është arritur./Indeksonline/