Opozita: Nëse Qeveria s’heq dorë vetë, do të detyrohet ta bëjë këtë

“Nëse nuk heqin dorë vetë, do të detyrohen ta bëjnë këtë”. Ky është mesazhi që tri partitë opozitare i kanë dërguar pushtetit vetëm një ditë para protestës gjithëpopullore.
Tre liderët opozitarë, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në marshin nga Biblioteka drejt qeverisë, për t’iu kërkuar llogari atyre që me vendimet e tyre e shkelën Kushtetutën.
Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se protesta do të jetë e qetë, por që do ta detyrojë Qeverinë të japë dorëheqje.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka numëruar arsyet pse qytetarët duhet të marrin pjesë në protestën e nesërme.
Ndërsa lideri i Nismës, Fatmir Limaj, tha se të shtunën është momenti kur zëri i qytetarëve duhet të jetë i fuqishëm.
Të pranishëm në sheshin ‘Skënderbeu’ ishin shumë deputetë e zyrtarë të tjerë të të tria partive, përfshirë edhe deputetët Donika Kadaj Bujupi, Ismajl Kurteshi e Fisnik Ismajli, të cilët deri para pak ditësh ishin në arrest shtëpiak.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë planin operativ për protestën e thirrur nga opozita.
Në njoftimin e policisë thuhet se qëllimi strategjik i këtij plani operativ është siguria e përgjithshme dhe mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit, ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet.
Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm.