Fundamenti

Opozita në Gjilan në gjumë elektoral, LVV dominon terrenin në qytet e fshatra

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, atmosfera politike në Gjilan po karakterizohet nga një heshtje e pazakontë dhe mungesë e theksuar mobilizimi nga subjektet opozitare, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të dominojë terrenin me aktivitet të vazhdueshëm në qytet dhe fshatra.

Aktivistë të vjetër dhe themelues të LDK, PDK dhe AAK shprehen të zhgënjyer me mënyrën se si po menaxhohet organizimi zgjedhor nga strukturat lokale të partive të tyre. Shumë prej tyre thonë se deri më tani nuk janë kontaktuar fare nga shtabet zgjedhore, ndonëse dikur konsideroheshin ndër shtyllat kryesore të organizimit politik në Gjilan.

Sipas tyre, Gjilani ka humbur frymën politike që e karakterizonte dikur në prag të fushatave zgjedhore. Dikur qyteti gumëzhinte nga takimet, mobilizimi dhe energjia e aktivistëve, ndërsa sot, sipas tyre, mbizotëron heshtja dhe mungesa e motivit politik.

“Është e pakuptimtë se si opozita pret ta mposhtë LVV-në kur nuk shihet askund në terren”, shprehen disa aktivistë opozitarë, të cilët në kushte anonimiteti thonë se kryetarët lokalë të partive duket se tashmë janë pajtuar me humbjen dhe nuk po tregojnë gatishmëri reale për organizim dhe mobilizim.

Ata pretendojnë se edhe fondet dhe mbështetja që vijnë nga qendrat e partive nuk po përdoren për organizim në terren, por sipas tyre po menaxhohen nga grupe të vogla njerëzish, larg aktivistëve tradicionalë të partive.

Fundamenti

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të jetë aktive në çdo pjesë të komunës. Aktivistët e saj po zhvillojnë takime, kontakte direkte me qytetarë dhe organizime të vazhdueshme nëpër lagje e fshatra.

Sipas opozitarëve, LVV po arrin të mbajë të mobilizuar elektoratin e vet përmes propagandës intensive dhe prezencës së vazhdueshme në terren, pavarësisht kritikave të shumta ndaj qeverisjes lokale.

Kritikët e pushtetit lokal vlerësojnë se qeverisja aktuale e ka sjellë Gjilanin në një nga periudhat më të vështira pas luftës, duke përmendur stagnimin në zhvillim, mungesën e investimeve dhe pakënaqësitë e shumta qytetare. Megjithatë, sipas tyre, mungesa e një opozite energjike dhe të organizuar po i jep avantazh të dukshëm LVV-së.

Në opinionin publik në Gjilan po shtrohet gjithnjë e më shumë pyetja se si mund të sfidohet seriozisht pushteti aktual, kur subjektet opozitare duken të përgjumura, të paorganizuara dhe pa energjinë që dikur i karakterizonte në betejat elektorale./rajonipress/