Opozita: Marrëveshja, pas zgjedhjeve
Qysh nga viti i kaluar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte shprehur i bindur se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do të arrihej brenda 2019-s. Se konflikti Kosovë – Serbi do të zgjidhej në mars të këtij viti kishin deklaruar edhe disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e PDK-së, shkruan Gazeta “Zëri”.
Teksa ka folur rreth dialogut dhe marrëveshjes finale mes dy vendeve, deputeti i LDK-së Naser Rugova është shprehur i bindur se gjatë muajve në vijim nuk do të ketë përmbyllje të procesit të negociatave, pasi nuk ka aspak gatishmëri në këtë drejtim. Situatën për arritjen e marrëveshjes sipas Rugovës e komplikojnë edhe më shumë problemet që kanë mes vete partnerët e koalicionit qeverisës, konfuzioni që ka shkaktuar ideja e presidentit për korrigjim të kufijve, si dhe komunikimi joadekuat mes kreut të shtetit dhe kryeministrit.
“Mungesa e konsensusit institucional në Kosovë çon në atë drejtim që as Samiti i Berlinit dhe as takimi në Paris nuk do ta orientojnë në binarët e duhur fillimin e një dialogu serioz mes dy vendeve, kur kësaj ia shtojmë faktin se për çdo marrëveshje duhet një konsensus i gjerë politiko-nacional. Kjo nuk shihet që mund të arrihet në Kosovë”, ka theksuar Rugova, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ndërkaq deputetja e LVV-së Fatmire Kollçaku ka thënë se ky subjekt asnjëherë nuk ka besuar se pushtetarët e tanishëm do ta arrijnë një marrëveshje finale me Serbinë. Ky proces sipas saj duhet ta ndërrojë formatin, të bëhet një rivlerësim i negociatave deri më tani, tek pastaj të vazhdohet me bisedimet për të arritur deri te një marrëveshje.
“Dialogu është një formulë e dështuar dhe kjo tanimë po tregohet. Dihet se asnjë marrëveshje deri më tani Serbia nuk e ka respektuar. Është për habi si është menduar që mund të arrihet një marrëveshje finale kur Serbia asnjëherë nuk i ka pranuar krimet që i ka kryer në Kosovë, kur asnjëherë nuk i është kthyer të kaluarës”, ka theksuar ajo./ZËRI

