Opozita kundërshton thirrjet e BE-së për votimin e demarkacionit

Edhe pas thirrjeve të fundit nga të zyrtarët e BE-së, Johanes Hahn dhe Ulrike Lunaçek, për ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi, zyrtarët e opozitës kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre kundërshtuese, për kalimin e projekt ligjit aktual të demarkacionit, për votim në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tyre së pari duhet bërë ndryshimi i demarkacionit i cili nuk është i kushtezuar nga Brukseli.
Sipas deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, as Lunacek e as Hahn nuk e kanë thënë të ratifikohet kjo formë e demarkacionit.
Kadriaj, ka thënë për Indeksonline se gjatë vizitave zyrtare që kanë zhvilluar në Beriln dhe Bruksel, zyrtarët e BE-së kanë thënë se kjo është çështje e brendshme e Kosovës, se si e rregullon demarkimin e kufirit.
“Kundërshtimi i demarkacionit nuk po bëhet për prologim të liberalizimit të vizave por për të mbrojtur tërësinë territoriale të Kosovës. Andaj ne nuk kemi çka të shqyrtojmë as një veprim apo kundërshtim.
Kosova për këtë tokë ka derdhur gjak janë vrarë djemtë më të mire të atdheut andaj nuk kemi çka të shqyrtojmë. Po njëkohësisht i keni dëgjuar edhe deklarimet se s’do të ketë liberalizim pa përmbushjen e kritereve të tjera”, ka thënë ajo.
Kadriaj është shprehur se Qeveria është ajo që duhet të gjejë zgjidhje sepse qeveria është fajtorja e vetme që vendin e ka fut në qorrsokak dhe e ka izoluar.
Ndërkaq edhe deputetja e NISMA-s, Valdete Bajrami është shprehur se marrëveshja për demarkacionin duhet të rishikohet, pa marrë parasysh presioneve të zyrtarëve të BE-së.
“Sa i përket çështjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, NISMA për Kosovën më tepër se një vit është duke e kundërshtuar versionin aktual, pasi që Kosova do të humbë mbi 8200 hektar”, ka thënë ajo.
Bajrami është shprehur se NISMA është për demaskimin e kufirit por jo duke falur tokë vendit fqinjë
“Ne kërkojmë nga qeveria që sa me parë të hedhë poshtë këtë version dhe i gjithë procesi i demarkacionit të filloj nga pika zero, pra të rishikohet kjo marrëveshje, sepse kështu siç është, është e pa pranueshme edhe për NISM-ën e edhe për qytetarët të cilët e kanë kundërshtuar gjithashtu”, ka thënë Bajrami. /Indeksonline/