KKGJILAN

Opozita këmbëngul: Të hetohet PTK-ja!

/ 4 minuta lexim

Privatizimi i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), do të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet në ditën e enjte (sot). Të paktën dy parti opozitare janë bashkuar dhe po përsërisin qëndrimin e njëjtë, kundër privatizimit të PTK-së, duke kërkuar kështu plotësimin e Komisionit Hetimor për të hetuar procesin e privatizimit të PTK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja “Vetëvendosje” (VV) nuk duan asnjë kompromis që ka të bëjë me çështjen e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK). Këto dy parti vazhdojnë të kërkojnë legalizimin e formimit të Komisionit Hetimor që do të hetonte privatizimin e PTK-së, një nga ndërmarrjet më fitimprurëse publike në vend, e që sipas tyre është bërë kundërligjshëm.

Madje, edhe të enjten në seancën parlamentare këto dy parti presin që te rendi i ditës për PTK-në të arrihet të plotësohet Komisioni Hetimor. Në seancën e fundit mungesa e kuorumit, ka pamundësuar po ashtu kompletimin e përbërjes së Komisionit Hetimor për PTK-në me kompetenca të ligjshme në një përbërje prej 11 anëtarësh.

Vjosa Osmani nga LDK-ja ka theksuar se nuk ka ndonjë ndryshim të LDK-së nga qëndrimi i saj i mëparshëm lidhur me çështjen e PTK-së dhe se vazhdon ta konsiderojë si të jashtëligjshëm këtë proces të privatizimit.

“Tash është formuar Komisioni Hetimor dhe nesër në seancë pritet të plotësohet me anëtarë të rinj”, tha ajo. Osmani ka theksuar se pret që partitë në koalicion të delegojnë anëtarët e vet. Sipas saj, plotësimi i komisionit mund të jetë në rend dite, siç thotë ajo duke besuar dhe në angazhimin e kryesisë së Kuvendit që në bazë të modaliteteve ligjore të kërkojë një zbatueshmëri të këtij komisioni. Me plotësimin e komisionit, ajo thekson se çështja e privatizimit të PTK-së nuk mund të jetë më në rend dite për votim.

Uji Dea

Sipas saj, mënyra e qeverisë për të arritur privatizimin e PTK-së është kontrabanduese. Edhe Erzen Vraniqi nga VV-ja ka thënë se kjo lëvizje nuk do të ndryshojë asnjëherë qëndrimin e saj lidhur me mënyrën e privatizimit të PTK-së. Sipas Vraniqit, me formimin e Komisionit Hetimor çështja e privatizimit të PTK-së do të merrte përgjigjen e duhur dhe, sipas tij, kjo edhe duhet të ndodhë sa më parë.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje privatizimi i PTK-së është i jashtëligjshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm”. Në seancën e fundit edhe deputeti i AAK-së, Ardian Gjini, pat kërkuar që procesi i privatizimit të PTK-së duhet të hetohet thellësisht. “Ky komision hetimor duhet të shkojë pak më tutje, sepse proceset e mëhershme kanë qenë edhe më problematike se sa rasti i fundit i AXOS, pasi ka pasur raste që persona fizik kanë negociuar në emër të Qeverisë së Kosovës që është tepër problematike”, pati thënë Gjini.

Megjithëkëtë, në seancën e fundit deputetët e PDK-së kanë bojkotuar sallën, kurse opozita arriti të formojë një komision gjysmak. Kurse gjatë ditës, me gjithë insistimin e gazetës nuk është arritur asnjë kontakt me përfaqësues të PDK-së, të cilët që nga fillimi i fushatës zgjedhore janë treguar “të zënë për media”.

Kryesues i Komisionit Hetimor për privatizimin e PTK-së është zgjedhur Muhamet Mustafa, ndërsa anëtarë nga LDK-ja, është propozuar Armend Zemaj e Hykmete Bajrami, nga VV-ja, Visar Ymeri e nga AAK-ja Burim Ramadani. Lëvizja “Vetëvendosje” edhe sot nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se privatizimi i PTK-së është i jashtëligjshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm.

Ndryshe, Komisioni Qeveritar dje e ka shtyrë deri më 26 dhjetor afatin për nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese./zeri/