Opozita, jo projektbuxhetit për 2014

Prishtinë – Opozita ka vendosur t’i thotë jo projektbuxhetit për 2014. LDK-ja dhe “Vetëvendosje” tashmë kanë konfirmuar votën kundër buxhetit, ndërsa AAK-ja për këtë do të vendosë të mërkurën. Për kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqi, kjo është pika kryesore në seancën e së enjtes.
Por, Ismet Beqiri ka thënë se ka arsye të shumta që vota e tyre të jetë kundër, transmeton KTV. Ai, ka thënë se edhe këtë vit është përdorur logjika e njëjtë e krijimit të një buxheti jozhvillimor. Beqiri vlerëson se në këtë projektbuxhet ka ndarje të padrejtë dhe nuk parashihen premtimet milionëshe të fushatës.
Edhe “Vetëvendosje” thotë se do të votojnë kundër, derisa sipas tyre është e njëjta logjikë e buxhetit dhe e shpërndarjes së parasë publike në projekte, që më shumë u konvenojnë ministrave e Qeverisë sesa qytetarëve të Kosovës.
E, vetmja është AAK-ja, që do të mund ta nxirrte Qeverinë nga kriza e mungesës së numrave në Kuvend. Por, edhe partia e Haradinajt ka dilema nëse duhet votuar, ose jo këtë projektbuxhet. AKR-ja e mbështet si të tillë projektbuxhetin e PDK-së thotë se do t’i bëjë gjithsesi numrat për të.