Opozita ia kthen Veselit: Përgjegjësia për dëmet në Kosovë i takon partisë tënde dhe LDK-së

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë ka theksuar se sipas tij qëndrimi i opozitës për demarkacionin është gabim dhe se opozita do të qëndrojë në pushtet edhe 50 vjet me këto sjellje.
Ditëve të fundit Veseli ka nxitur komente të shumta dhe debate të “nxehta” duke shpalosur edhe mundësin e zgjedhjeve në vend.
E kjo ide e tij është kundërshtuar edhe nga vetë bashkëpunëtoret e koalicionit qeverisës.
Në lidhje me këtë Aida Dërguti -deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovë në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se opozita, e veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje, e ka vënë në pah me kohë se demarkacioni me Malin e Zi në versionin e imponuar ka shumë gabime, e që këto gabime i kushtojnë Kosovës me humbjen e 8200 hektarëve tokë.
“Falë kësaj, dhe më pas rezistencës sonë kundruall tendencës së kësaj qeverie që ta shtyjë përpara këtë çështje, demarkacioni dështoi me 1 shtator për fat të mirë të vendit. Në këtë betejë dominuan dhe fituan argumentet tona, të mbështetura nga mijëra qytetarë në peticione e protesta, të mbështetura nga ekspertë e njohës të fushës, madje edhe nga vetë deputetë të mazhorancës. Me gjithë kamuflazhin dhe hutinë që duan ta shkaktojnë në opinion, mendojmë që edhe Veseli, edhe qeveria, janë të vetëdijshëm se e kanë humbur këtë betejë. Sa për deklaratën në lidhje me atë sa do të qëndrojnë në pushtet, ne i themi Veselit se atë e vendos qytetari, e jo ai dhe klani Pronto. Të gjithë po e shohin se çfarë i kanë sjellë Kosovës këta pushtetarë, dhe ne besojmë se vota e sovranit nuk do t’i lë më të luajnë me fatin e Republikës së Kosovës, Ky vend duhet të çlirohet nga krimi”, ka thënë Dërguti.
Sipas saj opozita nuk e ka hallin se çfarë mendon apo se si i sheh ata Veseli, Thaçi apo Mustafa apo gjithë “klani Pronto”.
“Ne kemi përgjegjësi para qytetarit të Kosovës, para vullnetit të tyre. Puna jonë është për interesin e Republikës sonë, forcimit e zhvillimit të saj. Puna jonë e përgjegjshme, angazhimi jonë së bashku me qytetarët ka bërë që të rritet përkrahja për nesh dhe më të fuqishëm se kurdo. Kjo ka rëndësi sepse kjo ndikon në të ardhmen e shtetit, në jetën e qytetarit”, ka shtuar Dërguti.
Tutje Dërguti ka theksuar se as nuk mund të flitet për suksese të kryetarit Veseli.
“Nuk mund të flasim për suksese të kryetarit Veseli. Ai është një prej kokave të krimit në Kosovë, krim ky i organizuar nga klani Pronto. Ne kemi qeverisje kriminale që ka kapur shtetin, çdo institucion. Kjo qeverisje po e rrezikon sovranitetin e Republikës, integritetin e saj”, ka thënë Dërguti.
Po ashtu Dërguti ka shtuar se “ Kjo qeverisje ka izoluar qytetarët, i ka varfëruar ata. Kjo qeverisje ka gënjyer për qindra mijëra vende pune, gjersa u bë shkas që qindra mijëra qytetarë ta lëshojnë Kosovën. Këto e shumë veprime të dëmshme të Veselit, të qeverisë ku partia e tij bën pjesë, e bëjnë atë jolegjitim për të folur jo veç për opozitën, por për gjithçka që lidhet me këtë shtet. Ajo çka duhet të bëjë ai është të jap përgjegjësi për dëmin që ia ka shkaktuar këtij vendi”.
Ndërsa deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Lahi Brahimaj në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se një koment i tillë i kryetarit Veseli ka ardhur si një hap qetësues për LDK-në pas shqetësimeve që ua solli atyre gjatë javës së kaluar.
Kurse sipas Brahimajt opozita nuk punon që të jetë e vlerësuar nga Veseli.
“Nuk punojmë që të vlerësohemi nga Veseli sepse nuk kemi asnjë obligim ndaj tij pra ai kurrë s’mund të nëpërkëmb punën tonë. Kjo formë e demarkacionit e nëpërkëmb territorin e Kosovës kjo është çështja”, ka shtuar Brahimaj.
Gjithashtu sipas tij pozita e tanishme nuk ka pasur suksese dhe kjo gjë sipas tij nuk dihet vetëm nga ai “Por nga të tjerët kjo legjislaturë konsiderohet si më joproduktivja që nga paslufta. E Kadri Veseli është kryetar i kësaj legjislature”.
Njëashtu deputeti nga radhët e Nismës, Zafir Berisha në një prononcim për Indeksonline ka thënë se deklaratat e tilla të Veselit, janë deklarata për konsum të politikës ditore.
“Ai gjithashtu ka thënë se nuk bëhet nami nëse shkojmë në zgjedhje, që nënkupton se nuk e kanë mendjen edhe pesë ditë jo 50 vjet me nejt në pushtet. Edhe Kadria e di se demarkacioni me Malin e Zi është gabim siç e pranojë se edhe marrëveshja për ‘Zajednicën’ ka qenë gabim i Qeverisë që e ka nënshkruar, që i bien se me këtë deklaratë përpos që ka kritikuar Isën e kritikuar edhe Hashimin se nënshkrues të këtij projekti tepër të dëmshëm për vendin”, ka thënë Berisha.
Sipas tij deklarata e Veselit nuk duhet të merret si “tabu”.
“Ata e dinë se falë rezistencës së opozitës kjo qeveri s’ka mundur të shes 8500 hektar tokë Ceranogorës dhe s’ka mundur që Serbinë të kthejë në Kosovë, përmes Zajednicës edhe pse për këtë projekt ende nuk kanë hequr dorë plotësisht”, ka shtuar Berisha.
Po ashtu duke komentuar punën e qeverisë, Berisha ka theksuar se “Ai ka mungesë përvoje në politikat publike, prandaj jo shpeshherë si rezultat i papërvojës në Kuvend ka krijuar tollovi të panevojshme”./Indeksonline/