Opozita i kërkon Qeverisë koordinim me ShBA-në për çdo veprim: Mund të përkeqësohet situata

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë të bindura se Qeveria nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për vendosjen e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet me Serbinë.

Edhe pse e vendosin vendimin e kreut të ekzekutivit Albin Kurti këto dy parti po kërkojnë që të ketë dakordim sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), por nuk mos anashkaluar edhe Bashkimin Evropian (BE).

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku thotë një intervistë për Ekonomia Online se është i domosdoshëm koordinim me ShBA-në sepse gjithmonë ka qenë përkrah çdo zhvillimi sidomos në pjesën e sigurisë së vendit, raporton Ekonomia Online.

“Po shihet qartë që nuk ka koordinim në këtë aspekt. Një gjë tjetër është informimi e një gjë tjetër koordinimi sidomos për pjesën e veriut të Kosovës dhe nuk është e arsyeshme të bësh një herë sulmin pastaj të bësh koordinimin”.“Më mirë kishte me qenë që nga fillimi të bëhej koordinimi i duhur për një aksion të tillë sepse e dimë që pjesa e veriut ende mbetet sensitive sidomos pasi që Kosova po donë të krijojë një bazë të mirëfilltë të reciprocitetit edhe në dialog me Serbinë”.

“Besoj që është e rëndësishme që koordinimi të jetë sidomos me ShBA-në sepse gjithmonë ka qenë përkrah çdo zhvillimi të Kosovës. Sidomos në pjesën e sigurisë gjithmonë janë ShBA që kanë dhënë vulën e fundit dhe janë faktor sigurie edhe në rajon. Një koordinimi i mirëfilltë na duhet me ShBA pa e anashkaluar pjesën e BE-së”, tha Lushtaku.

Përderisa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi tha se edhe pasi është shtyrë zbatimi i vendimit mund të ketë përkeqësim të situatës.Madje, ajo tha se është mëse i nevojshëm që kryeministri Kurti të ketë koordinim me ShBA-në dhe BE-në, raporton EO.

“Shpresojmë të mos ndodhë më e keqja. Mirëpo rreziku është në pah ku jemi duke parë që gjithmonë është duke u rrezikuar situata edhe mbas 30 ditësh nëse ndodh reciprociteti dhe kjo do të vazhdojë ne do të shohim vetëm keqësim të situatës”.“Kryeministri gjithmonë duhet të jetë në koordinim me ShBA-në dhe BE-në. ne e pamë që edhe BE kishte reaguar për tërheqjen e barrikadave dhe të diskutohet me ShBA-në. Ne si Kosovë pa ShBA-në nuk kemi ku të shkojmë”.“Qeveria Kurti dhe Ministri i Punëve të brendshme ai e ka situatën ne dorë. Kështu që duhet të marrin masa shumë të sigurta dhe të mos ndodh asnjë fatkeqësi”, tha Bytyqi.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS