Opozita: Edhe nëse kalon demarkacioni nuk ka liberalizim të vizave

Edhe përkundër konfirmimit të sotëm të Bashkimit Evropian se Kosovës i kanë mbetur dy kriteret e fundit para liberalizimit të vizave, zyrtar të opozitës kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre kundër votimit të demarkacionit, me arsyetimin se ky projektligjit duhet të rikthehet një herë në pikën zero, në mënyrë që Kosova të mos humbë 8 mijë hektar tokë.
Sekretari i NISMA-s Bilall Sherifi, ka thënë për Indeksonline se ka më shumë se një vit që opozita ka kërkuar të rishikohet ky version i demarkacionit, por qeveria as që ka dashur të diskutojë për këtë kërkesë të opozitës dhe kështu duke mos pranuar që të bashkëpunojë me opozitën ka vënë në rrezik liberalizimin e vizave.
“Ashtu sikur që qeveritarët vrapojnë të marrin meritat për ndonjë arritje të vogël të vendit, tani le ta marrin edhe përgjegjësinë edhe për dështimet. Sikur të kishin qenë më të përgjegjshëm deri tani kemi pasur kohë ta shikojmë dhe rishikojmë disa herë. Ndërsa sa i përket kushtit për luftën kundër krimit të organizuar as që kam pritur rezultate më të mira, sepse nuk është reale që të presësh që ata ta luftojnë veten e tyre”, ka thënë Sherifi.
Ndërkaq deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se demarkacioni ekziston tanimë si kusht për Liberalizimin e vizave, por zyrtarët e BE-së nuk janë kundër rishikimit të këtij projektligji, sipas saj Brukseli zyrtar është potencuar se kjo është çështje e brendshme e Kosovës se si e rregullon demarkacionin, vetëm se në fund ai duhet të jetë i votuar.
“Qëndrimet e AAK-së dihet sa i përket demarkacionit janë kundër për faktin se nga hulumtimet por edhe nga debatet që janë bërë tregon se me demarkacionin aktual Kosova humbë mbi 8 mijë hektar tokë. Ne si komision i integrimeve evropiane tani vonë kemi qenë në Bruksel por edhe në Berlin ku kemi dhënë opsionin se si demarkacioni nuk është bërë sipas standardeve që ekzistojnë por është bërë vetëm më një kriter. Në fakt asnjë prej zyrtarëve të lartë në Berlin por as në Bruksel nuk kanë kërkuar që të kaloj demarkacioni në formën aktuale por ata kanë thënë se kjo është çështje e brendshme e Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas Kadriajt edhe po të kaloj demarkacioni qytetarët e Kosovës nuk do të kenë liberalizim pa luftimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të lartë shtetërore ashtu siç kanë kërkuar Bashkimi Evropian, i cili është një kusht thelbësor, pa përmbushjen e të cilit nuk do të ketë liberalizim.
“Në fakt është edhe një pengesë tjetër para liberalizimit ku BE-ja është duke punuar në një klauzolë në të cilën do të parashihet pezullimi i vizave për Kosovën, nëse nuk i përmbahet kushteve të vëna sa i përket emigracionet të pa ligjshëm, ku shumë të rinj nga Kosova në dy vitet e fundit kanë emigruar në BE duke përdoruar rrugët ilegale”., ka thënë Kadriaj për Indeksonline.