UBT

Opozita e zbutur nuk heq dorë nga zgjedhjet e parakohshme

/ 3 minuta lexim

Kursi i ri politik i kundërshtarëve të regjimit. Partitë opozitare pranojnë biseda me Qeverinë për votimet e reja

“Trendi opozitar ka ndryshuar, edhe fjalori është zbutur, por duket se edhe ndjenjat politike janë në rënie e sipër . Kjo trason një rrugë tjetër të rezistencës opozitare, por edhe metodologjia e njërës pjesë të opozitës duket ndryshe, pra rezistencës opozitare që ka ndryshuar”, tha analisti Blerim Burjani

Sado e përçarë që është opozita parlamentare kosovare, nuk po arrin të bashkohet në një bllok unik dhe platformë të përbashkët për ndryshime. Zotimi opozitar është se lufta për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja do të jetë e pandashme deri në arritjen e qëllimit, derisa ulja në tryeza, në të cilat do të mund të debatohet për çështje nacionale, esenciale për proceset e integrimeve evropiane, mund të ndodhin edhe ditët në vijim, por jo që ato të keqpërdoren nga pozita si përpjekje për mashtrimin dhe zbutje eventualë të qëndrimeve të opozitës.

“Qëndrimi ynë i kahershëm ka qenë që kur është në pyetje interesi nacional dhe agjenda evropiane, ne do të provojmë nga ana jonë që ta bëjmë maksimumin e dhënies së kontributit tonë edhe si opozitë parlamentare, në çfarëdo takimi, që do të mund të jetë i përcaktuar edhe në të ardhmen, mirëpo për tema të tjera me Qeverinë nuk mund të ulemi dhe të bisedojmë, sepse nuk kemi interes”, tha për “Kosova Sot” nënkryetari i parë i AAK-së, Ardian Gjini.

Mobi Casa

Biseda, vetëm për datën e zgjedhjeve

Gjini tha se me Qeverinë mund të ulemi dhe të bisedojmë si temë tjetër veç rrugës së integrimit të vendit në BE edhe për gjetjen e modalitetit të shkuarjes sa më shpejtë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, “që është top kërkesë dhe më me prioritet për daljen e vendit nga keqqeverisja dhe kriza, në të cilën e ka futur kjo Qeveri e papërgjegjshme dhe e korruptuar”.

Sipas tij, opozita e bashkuar, pra blloku i tanishëm AAK-Nisma, të vetmin shpëtim dhe hapje të perspektivës evropiane të vendit e sheh çlirimin e vendit nga kapja e kësaj Qeveria aktuale. “Këtë e kam thënë edhe në takimin e djeshëm që e patëm me përfaqësuesit e pozitës, sepse kjo Qeveri nuk mund t’i motivojë institucionet që të bëjnë më shumë, ngase të gjitha proceset po mbeten të ngrira, për shkak të paaftësisë totale së kësaj Qeverie të kapjes së shtetit”, tha Gjini për “Kosova Sot”.

Po këtë mendim ndan edhe Enver Hoti nga Nisma për Kosovën. “Ne kemi siguruar edhe në të kaluarën, se do të jemi pjesë e të gjitha bisedimeve që organizohen në nivele të atilla për agjendën nacionale të shtetit të Kosovës, por asnjëherë nuk do të ndryshojmë apo abuzojmë qëndrimet tona kritike dhe kundërshtuese ndaj Qeverisë aktuale. Mirëpo, edhe në këso lloj takimesh e kemi bërë të qartë se nuk do të shkojmë pafundësisht. Nëse këto takime nuk e relaksojnë situatën nuk kontribuojnë për një reflektim dhe hapje të partive në pushtet, që të diskutohet pa vonesë edhe tema e shkuarjes sa më shpejt në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë më tej Hoti./kosova sot/