Opozita e vendosur për t’i vazhduar protestat
Edhe pse zyrtarisht Kuvendi i Kosovës do të duhej t’i fillonte punimet e sesionit pranveror më 18 janar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi Kryesia e Kuvendit ende nuk është mbledhur dhe nuk është caktuar se kur do të ketë seancë plenare.
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të protestojnë brenda dhe jashtë Kuvendit, edhe gjatë sesionit pranveror, për t’i ndaluar dy marrëveshje që sipas tyre janë të dëmshme për Kosovën.
Zëdhënësi partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje!, Adonis Tahiri, tha për KosovaLive që presin që edhe fillimi i këtij sezoni parlamentar të karakterizohet me protesta, nëse kjo qeveri nuk largohet.
“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ose t’i anulojë marrëveshjen për ‘Zajdenicen’ dhe atë për demarkacionin, ose t’i hedhë në referendum, ose t’i shpallë zgjedhjet”, tha Tahiri.
Sipas tij, nga 23 dhjetori kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se qeveria përmes marrëveshjes për “Zajednicën” i ka shkelë 23 nene të Kushtetutës, janë në një situatë të re.
“Një qeveri që e ka shkelë Kushtetutën nuk ka më legjitimitet e as legalitet të udhëheq me vendin. Këtë e tha edhe populli i Kosovës më 9 janar, në protestën më masive të pasluftës në Kosovë. Pra, kjo qeveri duhet të largohet sa më parë – ose vetë, ose përmes presionit qytetar. Derisa të ndodh një gjë e tillë, nuk do të ketë normalitet në Kosovë në përgjithësi, e as në institucione në veçanti. Ne vazhdojmë me protestën tonë”, ka thënë Tahiri.
Deputetja e Vetëvendosje!-s, Albulena Haxhiu, në një prononcim për media, një ditë më parë, tha se opozita do të vazhdojë ta bllokojë punën e Kuvendit, qoftë me gaz lotësjellës apo edhe me mënyra tjera të kombinuara.
KosovaLive ka kërkuar nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, që ta konfirmojë se kur do të ketë seancë të re plenare, por ai ka thënë shkurt që t’i referohemi webfaqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, por aty ende nuk ka asnjë njoftim as për mbledhje të Kryesisë së Kuvendit e as për seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.

