Opozita e shqetësuar me mosmenaxhimin e krizës: Mund të ketë bllokadë ekonomike

Deputetë e partive opozitare në vend po shprehen të shqetësuar për menaxhimin jo të duhur nga ana e Qeverisë sa i përket krizës ekonomike, duke përsëritur deklarimet e krerëve të institucioneve se Kosovën e pret një dimër mjaft i vështirë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hajdar Beqa në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se qytetarët po ballafaqohen çdo ditë me çmime të larta dhe mungesë të energjisë.

Madje ai e ka akuzuar Qeverinë se ende nuk ka një kontratë për të siguruar çmim më të lirë për energjinë siç e kanë siguruar shtet e tjera.

“Kemi informata që përveçse ballafaqohemi çdo ditë si qytetarë të këtij vendi me çmime të larta, me inflacion me mungesë të energjisë dhe pretendimet që do ta kemi një dimër të vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike e kemi parë që disa herë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ende nuk kanë arritur ta kenë një kontratë për të siguruar me një çmim të lirë siç e kanë siguruar shtet tjera furnizimin me energji për qytetarë”, tha Beqa.

Përderisa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në Qeverinë Kurti nuk ka fare menaxhim.

Sipas saj, kryeministrin Albin Kurti Kosovën e kanë marr të gatshme mirëpo nuk po di ta udhëheqin, prandaj thotë se i duhet bashkëpunim me opozitën.

Bunjaku-Rexhepi tha se propozimet që kanë dhënë për të dalë nga kriza ekonomike janë refuzuar nga Qeveria Kurti.“Çmimet janë alarmante. Edhe çmimi i bukës ka filluar të rritet dhe nuk ka të bëjë me menaxhim sepse Kosova është duke funksionuar e vetmuar. Këta po thirren që qe 20 vjet është shkatërruar Kosova. Kosovën e kanë marrë të gatshme dhe nuk po dinë ta udhëheqin”.

“Zotëri Kurti është paranoik dhe e ka njëfarë uni të tepruar. Një kryeministri i kërkohet punë angazhim e korrektësi dhe bashkëpunim me opozitën e qytetarët dhe tani është në të kundërtën e qytetarëve. Ne e kemi të pamundur në numra që të bëjmë rrëzimin e kësaj qeverie përkundër asaj ne nuk jemi për ta rrëzuar qeverinë por të bashkëpunojë me opozitën. Ne kemi dhënë propozime sikurse për krizë ekonomike, energjetike e arsim. Mirëpo asnjë propozim i LDK nuk është marrë parasysh”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj theksoi se Kosova gjendet në një krizë të thellë ekonomike, madje thotë se nuk ka as investime nga jashtë.

Ai tha se Qeveria duhet të veprojë menjëherë në mënyrë që të mos shkohet deri te një bllokadë ekonomike.

“Sa i përket krizës ekonomike dihet që jemi në një krizë të thellë ekonomike kur nuk ka ndonjë zhvillim nuk ka investime qoftë të faktorit të jashtëm, qoftë të brendshëm dhe gjendja është alarmante”.“Nëse i shohim hapat që i ka ndërmarrë për pako sociale ajo është vetëm për të blerë kohë, por jo për të bërë zhvillim ekonomik. Prandaj Qeveria duhet të veprojë dhe të mos vijmë deri te një bllokadë ekonomike. Dhe kur e shohim ngritjen enorme të çmimeve mendoj që na pret një dimër të vështirë”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS