Opozita e përçarë në protesta

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë organizuar të premten pasdite një protestë për skandalin e përgjimeve telefonike ‘Pronto2’, ku protagonistë janë shefi i deputetëve të PDK-së Adem Grabovci, ish kryeministri njëherësh presidenti aktuale Hashim Thaci, kryeparlamentari Kadri Veseli etj.
Protesta e llojit të tillë do të organizohet edhe sot pasdite nga organizatorët e njëjtë në orën 19:00. Kjo protestë ndonëse ka për trajtim kauzat e kamotshme të opozitës kosovarë, kjo e fundit nuk po i bashkohet komplet. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, AAK dhe Nisma kanë menduar të mos marrin pjesë në protestë.
Në përkrahje të kësaj iniciative për protestë nga shoqëritë civile ka dal partia më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka konfirmuar pjesëmarrjen. Ky subjekt politik thotë se pa marr parasysh kush është organizatori, VV do të jetë prezentë, sipas tyre janë kauzat e njëjta për të cilat kanë ngritur zërin edhe më herët.
Frashër Krasniqi nga VV ka konfirmuar për gazetën “Zeri”, se të Hënën do të dalin në protestë. Ai ka thënë se do ta mbështesin fuqishëm këtë protestë.
Krasniqi ndër të tjera u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në këtë protestë dhe të protestojnë në të mirë të vendit.
“Po ne do të marrim pjesë në këtë protestë që organizohet kundër kriminelëve të shtetit që po na udhëheqin. Marrim pjesë në protestë pa marrë parasysh se kush e organizon. Vetëvendosje nuk e ka organizuar këtë protestë por që e mbështet fuqishëm dhe fton të gjithë anëtarët që të marrin pjesë si dhe qytetarët”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa në partinë e Ramush Haradinajt, AAK-në nuk është biseduar fare për një mundësi të pjesëmarrjes në këtë protestë.
Deputetja Time Kadrijaj nga AAK, ka thënë për gazetën Zeri, se nuk është biseduar në strukturat e partisë për këtë çështje. Ajo thotë se në mënyrë individuale mund të del të protestojë çdo anëtarë i AAK-së por që ndonjë organizim nga strukturat nuk ka.
” Nuk kemi biseduar me strukturat e partisë për këtë protestë por që ne këto ditë nuk kemi pas ndonjë takim të tillë. Individualisht ndoshta nuk është keq që të marrin pjesë në këtë protestë sepse nuk ka kurgjo të keqe. Mendoj që shumica e anëtarëve të partisë mund të marrin pjesë por që nuk kemi ndonjë vendim”. Ndër të tjera për mos mobilizimin e opozitës ndaj protestave, Kadrijaj thotë se kjo nuk ka të bëjë me inatet ndërmjet tyre dhe se protestës mund t’i përgjigjen nga çdo individë që i thërret, por që kësaj radhe nuk është biseduar në parti.
“Mosmobilizimi nuk dmth mos koordinim por që nuk është vendos ende për ndonjë protestë ndaj kauzave të kamotshme, nuk janë inate. Ju e dini se AAK ka pasur edhe protesta më herët dhe se nuk kemi dështu, kemi pasur një protestë masive dhe se janë përgjigjur qytetarët. Marrim pjesë në protesta nga çdo individ të thërret protestë në të mirë të vendit”, ka thënë Kadrijaj.
Gazeta “Zëri” ka provuar që të marrë përgjigje edhe nga Nisma për Kosovën por që një gjë e tillë ka qenë e pamundur./ZERI