Mobi Casa

“Opozita e ngushëllimeve dhe Facebook-ut”, heshtja politike po ia zgjat pushtetin Alban Hysenit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në çdo demokraci funksionale, opozita ekziston për të kontrolluar pushtetin, për të ngritur alarmin ndaj keqqeverisjes dhe për të ofruar alternativë serioze për qytetarët. Por në Gjilan, opozita duket se ka zgjedhur një rol tjetër: atë të spektatorit politik, të pranishëm më shumë nëpër ngushëllime dhe statuse Facebook-u sesa në përballje reale me pushtetin lokal.

Ndërkohë që qeverisja e Alban Hysenit po përballet me kritika të shumta për menaxhim të dobët, stagnim të projekteve dhe dyshime për keqpërdorime të evidentuara edhe nga raportet e auditorit kombëtar, opozita në qytet vazhdon të mbetet e heshtur, e shpërndarë dhe pa refleks politik.

Në terren, qytetarët ankohen për mungesë zhvillimi, projekte të bllokuara, infrastrukturë të papërfunduar dhe një administratë që po funksionon më shumë si aparat partiak sesa si institucion publik. Por përballë kësaj situate, opozita duket sikur ka humbur busullën politike.

Për shumë qytetarë, beteja opozitare është reduktuar në reagime sporadike në rrjetet sociale, akuza të vakëta dhe fotografi ceremoniale. Madje, në opinionin publik po krijohet përshtypja se opozita në Gjilan “ekziston” vetëm kur ndodh ndonjë vizitë nga qendra.

Hidromorava

“Po të mos ishte Vjosa Osmani, zor se do të kuptohej që ekziston Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan. Po të mos vinte ndonjëherë Bedri Hamza apo ndonjë figurë tjetër nga qendra, askush nuk do ta dinte që ka gjallëri në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës”, është një nga komentet që dëgjohet shpesh në opinionin lokal.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon ta mbajë kontrollin politik në qytet, pavarësisht pakënaqësive në rritje. Kritikat ndaj Alban Hysenit janë të shumta, por mungesa e një opozite të organizuar dhe agresive politikisht po e ndihmon atë të vazhdojë të sillet si “zot shtëpie” në Gjilan.

Analistë lokalë vlerësojnë se problemi më i madh nuk është vetëm pushteti aktual, por mungesa e një alternative bindëse opozitare. Sipas tyre, qytetarët nuk kërkojnë vetëm kritika ndaj qeverisjes, por ide konkrete, program serioz dhe vizion të qartë për zhvillimin e Anamoravës.

Sepse në fund, një opozitë që kufizohet në postime Facebook-u dhe paraqitje protokollare nuk arrin ta rrëzojë asnjë pushtet. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë./rajonipress/