Opozita e fjetur ia zgjat jetën Qeverisë skandaloze

Partitë hanë të gjitha në një kazan
“E gjithë kjo reflekton diçka si e dyshimtë dhe e shantazhuar, sepse është rrënuar një shpresë që të ketë ndryshim për të qenë një shtet ligjor dhe i drejtë nga këto banda qeveritare, ku opozita nuk ka një dinamizëm politik, pasi është ndaluar nga sunduesit dhe tani Kosova thuajse po rrëshqet drejt ndarjes së dhimbshme të shtetit”, thotë analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”
Analistë të politikës dhe qytetarët vlerësojnë njëzëri se janë të befasuar se përse opozita kosovare nuk po e dinamizon aksionin politik për të ndaluar këtë regjim korruptiv sundues dhe kriminal që do ta çojë Kosovën drejt ndarjes. Nga njohësit e kësaj fushe shtrohet pyetja se kush po e pengon opozitën që t’i tregojë Qeverisë dhëmbët e të mos lejojë që edhe më tej pushtetarët e tashëm të tallen me këtë popull.
Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se kjo opozitë, e para, nuk është opozitë, në kuptim të mirëfilltë të emërtimit, e dyta, nuk ka vizion, e treta, nuk ka potencial, e katërta, edhe pjesëtarët e opozitës janë të përcaktuar të luftojnë për të ardhur deri te pushteti, që të veprojnë njësoj, por me kamuflim tjetër . “Pafuqinë e opozitës për t’i ngërdhucur dhëmbët, e bëjnë, pos numrave, edhe përmbajtja. Fatkeqësisht, Kosovës i është imponuar një Kushtetutë, që minoriteteve u ka dhënë rol të madh vendimmarrës dhe bllokues. Kurse, parlamentarët shqiptarë nuk i përmbahen parimit, kush bën koalicion qeveritar me 51 deputetë shqiptarë (plus 20 të rezervuar për minoritete), të Qeverisë, por jo si tani, me rreth 41 vota shqiptare (po dihet, ca nga ato të trafikuara), të imponon sundim, edhe kaq destruktiv e të kriminalizuar. Uroj që votuesit të ndërgjegjësohen për të votuar radhën tjetër më cilësisht – për hir të tyre dhe të shtetit të Kosovës”, vlerësoi ai.
Rrënimi i shpresës për ndryshim
Analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se opozita thuajse bllokohet nga bandat e Qeverisë për të shtyrë proceset përpara drejt shtetit ligjor dhe demokratik dhe kjo është një tallje me qytetarin apo sovranin e vendit. “E gjithë kjo reflekton diçka si e dyshimtë dhe e shantazhuar, sepse është rrënuar një shpresë që të ketë ndryshim për të qenë një shtet ligjor dhe i drejtë nga këto banda qeveritare, ku opozita nuk ka një dinamizëm politik, pasi është ndaluar nga sunduesit dhe tani Kosova thuajse po rrëshqet drejt ndarjes së dhimbshme të shtetit”, vlerësoi Hertica. Ndërsa analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se opozita nuk është e bashkuar. “Shkaku kryesor është interesi partiak për pushtet. Ata, përveçqë kanë një mori njerëzish shumë të dobët, një pjesë e tyre janë klientë të koalicionit të pozitës. Shumë prej tyre, edhe ata që marrin vesh se në çfarë pozite gjendet ky shtet, janë ndihmësit e pozitës në mënyrë indirekte”, u shpreh ai.
“Arsyeja është e thjeshtë. Nuk kanë mundësi një pjesë e tyre të zënë vend më në pozita, as deputet. Këta janë bjerrakohës dhe mashtrues në mënyrën e vet. I përshkon një frymë neokomuniste me një farë amortizimi. Dëshirojnë që për krejt gabimet dhe mosecurinë e duhur të politikës dhe zhvillimit ekonomik, abuzimeve t’ia hedhin pozitës, ose ‘askujt”, shpjegoi më tej Shkodra. Sipas tij, opozita e ngritur dhe me qëllim të përparimit të shoqërisë në përgjithësi, do të merrte hapa më të guximshëm. Qytetarët, të zhgënjyer nga politika Krahas analistëve të politikës, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me indiferencën e opozitës kosovare karshi koalicionit në pushtet. Ata me të drejtë po pyesin se përse opozita kosovare nuk po e dinamizon aksionin politik për të ndaluar këtë regjim korruptiv, sundues dhe kriminal, që do ta çojë Kosovën drejt ndarjes. Prandaj, qytetarët vlerësojnë se askush nuk po e pengon opozitën që t’i tregojë Qeverisë dhëmbët e të mos lejojë edhe më tej talljen me këtë popull.
Kësisoj, qytetari Ismail Hamiti, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se opozita nuk është unike në qëllimet e tyre opozitare dhe si e tillë ajo edhe nuk po funksionon e bashkuar si opozitë. “Ky është elementi kryesor që e pengon për ta rrëzuar Qeverinë,prandaj, veç saj, kam frikën se opozita kosovare edhe nuk janë sa duhet të vendosur, të dyja palët, ngase në qëllimet e tyre sikur janë me dy mendje, ta bëjmë apo mos ta bëjmë, sepse edhe nismat në kërkesat e tyre opozita po i lë në gjysmë të rrugës, sikurse që ishte ajo rezoluta për bisedimet e Hashim Thaçit me Serbinë”, vlerësoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër Islam Velija, po ashtu nga Prishtina, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se, për fat të keq, në Kosovë edhe pozita, edhe opozita janë gati të njëjtë e të një brumi, ngase një pjesë e opozitës deri vonë kanë qenë në pushtet . “Ndërkaq, kjo heshtje e opozitës po ndodh nga mungesa e projekteve të tyre konkurruese dhe të thonë qartë se e kemi këtë dhe këtë projekt konkurrues në prag të këtyre bisedimeve që duhet bërë me Serbinë”, u shpreh ai. Velija thotë se ata të opozitës më shumë ankohen duke thënë se më kështu nuk bën, pa ofruar ndonjë alternative konkrete se si bëhen këto punë të pushtetit. “Prandaj, mendoj se opozita më shumë është duke shkuar nga ngërçi politik sesa të fillojnë punët duke e shfrytëzuar situatën e tashme për vota, gjë që është një gabim shumë i madh”, potencoi ai. Sipas Velisë, këto janë disa nga arsyet se përse opozita kosovare nuk po e dinamizon aksionin politik ndaj këtij regjimi korruptiv.
TË GJITHA PARTITË NJËSOJ “Të gjithë kanë dëshirë ta rrëzojnë Qeverinë, por që të gjithë ruhen për një hap të volitshëm, për ‘mashtrime’ të opinionit publik, kinse për të fituar vetëm vota sa më shumë me ‘shitjen’ e tyre si më të ‘mençur’, derisa të vijnë te qëllimi. Druaj se asnjëra nuk do të kenë një projekt të duhur. Druaj se qytetarët prapë e kanë problem me cilindo që të vijnë në pushtet, sepse sa është parë deri më tash, asnjëra nuk e kanë atë forcën intelektuale për ndryshime rrënjësore”, tha Shefki Shkodra për “Kosova Sot”. OPOZITA, E PAQARTË “Duhet treguar se opozita kanë edhe dobësi të tjera, sepse thënë troç janë të paqartë në kërkesat e tyre dhe duhet pranuar se askush nuk po e pengon opozitën që t’ia tregojë Qeverisë dhëmbët e të mos lejojë edhe më tej talljen me këtë popull”, tha Ismail Hamiti për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)