Operacioni “Knaus” i Qeverisë – Kosova dështoi në KiE, Kurti e Osmani u përçanë keq

Kosova e ka bërë gjysmën e rrugës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Hapi i fundit dështoi më 17 maj kur anëtarësimi nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave në Strasburg të Francës. Arsyeja ishte që Kryeministri Kurti s’kishte pranuar ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Brukseli në Gjykatë Kushtetuese. E njeriu që provoi ta hiqte kushtin e Asociacionit të vendosur nga Parisi e Berlini, austriaku Gerald Knaus nuk ia doli. Për më tepër përfshirja e tij përçau keq Kurtin e Gërvallën me Osmanin.
Më së paku që nga fillimi i muajit mars, Gerlad Knaus, ka qenë “ministri alternativ” i punëve të jashtme të Kosovës ose emisari i Kryeministrit Kurti për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Në fakt, edhe më shumë se kaq. Austriaku duket se e kishte komplet në duar dosjen e KiE që kur me anë të një publikimi në fillim të muajit mars kërkoi që Kosova t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit për ta realizuar anëtarësimin në këtë organizatë. Sikur të koordinuar, nuk vonoi shumë Kryeministri Kurti e çoi në vend atë që e kishte kundërshtuar gjatë dhe ashpër – i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’ia regjistrojë pronat që i ishin dhënë Manastirit me një “vendim të Millosheviqit”. Deri këtu operacioni Knaus-Kurti kishte sukses. Kosova i bëri edhe dy hapa tjerë duke e kaluar “pengesën e parë” në një komitet të Asamblesë Parlamentare dhe vetë Asamblenë më 17 Prill.
Pas 17 prillit, kur parlamentarë të vendeve anëtare ia dhanë Kosovës dritën e gjelbër, Kurti tentoi të trasojë një rrugë tjetër të anëtarësimit në KiE për t’i ikur Asociacionit. Ai shkoi në në Berlin ku po o shoqëronte edhe Knaus. Në një fjalim në Bundestag, për 75 vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës, Kurti po zotohej se do të zgjidhen çështjet e pazgjidhura përfshirë “çështjen e minoritetit serb të Kosovës, si prioritet”.
Po ashtu kishte tha se po punojnë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të hartuar nisma të reja dhe të mëdha. “Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”, shtonte Kurti.
Pikërisht gjatë kësaj vizite Kurti i bëri jehonë Kodit Civil, në të cilin përfshihet dispozita për bashkimin civil të të njëjtës gjini.
“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë” – tha Kurti, duke shtuar se “po punohet që në një të ardhme shumë të afërt ta kalojnë Kodin”.
Kodi Civil me nenet për bashkimin civil të personave të të njëjtës gjini u pa si “temë” atraktive për “t’ua shitur” vendeve anëtare të KiE në këmbim të anëtarësimit. Knaus dhe gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung Michael Martens kërcyen në këtë pikë duke e prezantuar Kosovën si vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor, pas Malit të Zi, që po i lejon bashkëjetesat e personave të gjinisë së njëjtë.
Kurti s’po jepte shenja se do të lëshojë pe rreth kërkesës që përsëritej: dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.
Kërkesë kjo që në ditët në vijim do të bëhej me anë të dy telefonatave nga Macron e Scholz dhe nga ambasadorët e QUINT’it në Prishtinë.
Kurti nuk e konsideronte si kusht Asociacionin për anëtarësim në KiE duke thënë se raportuesja greke Dora Bakoyannis nuk e kishte kërkuar atë duke e përmendur edhe letrën që bashkë me Osmanin e Konjufcën ia kishin dërguar diplomates greke me zotimin se kjo punë do të kryhej pas anëtarësimit.
Se Kurti e kishte përnjëmend mosdërgimin e draftit të Asociacionit në Gjykatë ishte në dijeni edhe Knaus.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe më 4 maj, 13 ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, Knaus ishte i prerë.
“Po u lidhën këto dy çështje, Asociacioni me anëtarësimin në Këshill të Evropës, ju garantoj se asnjëra prej tyre nuk do të realizohet”, thoshte ai.
Austriaku, që në vitet 2001-2004 kishte punuar në Kosovë si pjesë e stafit të BE’së në UNMIK, nuk u ndal me kaq.
Ai po insistonte se Asociacioni nuk mund të krijohej me dekret nga Qeveria, por do duhej të vinte si një iniciativë nga komunat bazuar në standardet evropiane.
Knaus e kishte takuar edhe James O’Brien më 30 prill. Nuk dihet nëse idetë e tij kishte provuar t’i shtynte edhe aty.
Në tentim për ta shpëtuar anëtarësimin e Kosovës në KiE, Kurti bëri një manovër në momentet e fundit.
Doli se ai u kishte dërguar letra Presidentit të Francës, Kancelarit të Gjermanisë dhe Kryeministres së Italisë.
Por, publike u bë vetëm një letër që doli nga Kryediplomatja Gërvalla, e cila si duket pa u koordinuar fare me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, kishte bërë një ofertë në emër të Qeverisë së Kosovës për të shkruar një Draft të Asociacionit dhe për ta dorëzuar të njëjtin në Gjykatë Kushtetuese në fund të majit.
Megjithatë, në këtë përpjekje për të marrë përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës në këmbim të ofertës së fundit, ministrja e Jashtme kosovare s’ishte vetëm.
Në mëngjesin e hershëm të 16 majit, një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka qenë Knaus i pari që ka publikuar letrën me ofertë të ministres Gërvalla, e për të cilën deri në atë kohë s’kishte ditur askush asgjë.
Knaus e kishte publikuar shkresën ku kryediplomatja Gërvalla zotohej se Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur një Draft për Asociacionin të inspiruar nga Drafti i FES e të cilin zotohej se do ta dërgojë në Kushtetuese në fund të muajit maj. Për Knaus ky propozim ishte një hap përparimtar nga ana e Kosovës, një propozim “tepër konstruktiv” dhe një “breakthrough”.
Edhe në një publikim në faqen zyrtare të “ESI”, propozimi i bërë nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla përshkruhet si një hap thelbësor dhe i prekshëm.
Knaus, duke komentuar planet për kushtëzim nga QUINT të përkrahjes së Kosovës për KiE me çuarjen e Draftit të Asociacionit në Kushtetuese, kishte shkruar se “historianët s’do të jenë” të lumtur që këto shtete po i thonë Asamblesë Parlamentare që “raporti dhe vota juaj s’janë të vlefshme”.
Kurti gjatë kësaj ofensive virtuale po qëndronte në Mal të Zi në një takim të liderëve rajonalë.
Megjithatë, një ofertë e tillë e Qeverisë së Kosovës pavarësisht reklamës që iu bë nuk arriti që të bindë shtete kyçe në KiE që të ndërrojnë qëndrim. Përgjigjja që i kthyen Kurtit, Macron, Scholz e Meloni ishte e ftohtë. Ata insistuan në draftin e Lajçak.
Nga Presidenca e Kosovës, që drejtohet nga presidentja Osmani, kanë treguar që s’janë konsultuar fare nga kryediplomatja Gërvalla dhe në përgjigje kishin aluduar se mbase ministrja Gërvalla ka mundur të konsultohej me “individë jashtë institucioneve që e kanë publikuar letrën”, duke aluduar pikërisht në austriakun Knaus.
“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, kanë deklaruar nga Presidenca e Kosovës për Express më 16 maj 2024.
Se e kishte në mendje Knausin, Presidentja e vërtetoi edhe këtë të mërkurë.
“Në qoftë se tema paska qenë të mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani, që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botojë atë në Twitter, pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra, kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, tha Osmani.
Duke parë aktivitetin e Knaus për procesin për anëtarësim në KiE, Gazeta Express e ka pyetur themeluesin e ESI për nivelin e bashkëpunimit që ka me Qeverinë e Kosovës dhe nëse ideja për propozimin e bërë nga kryediplomatja Gërvalla ka qenë e tij.
Knaus në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se s’ka kurrfarë marrëveshje dhe s’do të ketë as në të ardhmen.
“As marrëveshje, as pagesë. As tani, as në të kaluarën, as në të ardhmen”, ka thënë Knaus. Ai për Express ka thënë se instituti (European Stability Initiative), ku është themelues mendon se propozimi “është i mirë dhe konstruktiv” dhe se në faqen e tyre zyrtare kanë dhënë argumentet pse.
“Ne flasim me shumë politikanë nëpër Evropë, Gjermani, gjithashtu edhe në Kosovë. Ne bëjmë sugjerime bazuar në analizat tona. Por, vendimet merren nga politikanët e zgjedhur, si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë Knaus.
Gerald Knaus ka hedhur poshtë edhe pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili e ka quajtur si lobist të Qeverisë së Kosovës.
“ Jo!”, ka thënë austriaku për Express.
Për qëndrimin e Presidencës së Republikës së Kosovës rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, moskoordinimit dhe pretendimet për bashkëpunim me persona jashtë institucioneve dhe rreth bashkëpunimit me Gerald Knaus të ESI, Gazeta Express ka dërguar pyetje në ministrinë e Punëve të Jashtme më datën 17 maj dhe deri sot s’ka marrë asnjë përgjigje.
Pas epilogut negativ të gjithë përpjekjes për të siguruar përkrahjen në Këshill të Evropës, kryediplomatja kosovare ka lënë të kuptohet se letra e saj me propozim s’vlen më .
“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, kishte shkruar shefja e diplomacisë kosovare.
Dosja e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës duket se do të presë edhe për një kohë pas kësaj mundësie të humbur në maj. Vetë kryediplomatja Gërvalla ka konfirmuar më 17 maj se përveç që Kosova s’është futur në rend të ditës, vendet anëtare s’kanë marrë as vendim për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të vendosnin për anëtarësimin e Kosovës.
“Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Gërvalla.
Pas dështimit për anëtarësim ka pasur reagime të shumta. Shqipëria e ka cilësuar si një shans historik të humbur nga Kosova, ndërkohë që qëndrimi gjerman dhe kushtëzimi për të lëvizur përpara me Draftin është kritikuar nga disa deputetë gjermanë./GazetaExpress/