ARKATANA

Oligarkët e pushtetit nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Prokuroria të mos flejë, por të hetojë pasurimet e dyshimta të politikanëve

HAJNAT QË ZHVATËN FONDET E LUFTËS DHE TË PASLUFTËS

Prokuroria të mos flejë, por të hetojë pasurimet e dyshimta të politikanëve

“Këta njerëz një ditë do të ballafaqohen me realitetin e drejtësisë, kjo është e pashmangshme, sepse shumë fonde të bëra në kohë të ndryshme, para dhe pas luftës, që nuk dihen ku janë tretur, duhet të hetohen dhe të dihen ku dhe si janë shpenzuar, sepse këto para ishin para të qytetarëve të shtetit të Kosovës. Dikush duhet të dijë se çfarë ka ndodhur me këto para, sikurse duhet të dihet se si u pasuruan njerëzit në kurriz të taksapaguesve”, tha Blerim Burjani

Duke parë trendët e pasurimit të shpejtë të disa figurave qendrore të politikës në vend, ishorganizatorë dhe “komandantë” në luftë e që “vetkontrolluan” financat e fondeve të qytetarëve në diasporë, “Vendlindja Thërret”, sikur edhe të fondit të 3-përqindëshit, për të cilat deri sot askush prej tyre nuk është në gjendje të raportojë para qytetarëve dhe të ofrojë dokumente se si janë shpenzuar qindra milionë DM të këtij populli e këtij vendi. Me të drejtë lind dhe forcohet dyshimi i bazuar se të tillët janë bërë të pasur dhe janë shndërruar në biznesmen të mëdhenj në shtetin e ri të Kosovës, duke abuzuar me ato fonde që destinim kishin ndërtimin e strukturës ushtarake, financimin dhe çlirimin e vendit. Njohësit e rrethanave politike të kohës dhe analistët e ditëve të sotme konsiderojnë se është e pakuptimtë që akoma Prokuroria Speciale, as pas afro dy dekadave, nuk denjon, nuk ka vullnet e as nuk guxon të merret me hetimin e këtij krimi të organizuar me paratë e popullit, prandaj shpresë e vetme mbetet te deputetët e këtij Kuvendi aktual që po fillon punën të ngritin një debat serioz e të përgjegjshëm për shpërdorimet e parave të popullit, të cilat përfunduan në xhepat e kontot e ish-komandantëve e tani politikanëve, që sot nuk ia dinë fundin pasurive të tyre qindra- milionëshe dhe miliardëshe!

Pyetja që iu shmang secila legjislaturë

Profesori i së drejtës në pension, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe hartues i Kushtetutës së parë të shtetit të ri, Riza Smaka, thotë se ai që kur ishte deputet në legjislaturën e tretë pyetjen e njëjtë e ka ngritur në Komisionin për Buxhet, Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave, si dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por as atë kohë dhe as sot e kësaj dite nuk mori kush guximin të merret me këtë çështje. “Çuditërisht , nga autoritetet ekzekutive asnjëherë nuk kam marrë përgjigje. Madje nga asnjë deputet, përkatë- sisht deputete, nuk kam pas hasur as në mbështetje, as në kundërshtim. Qëndrimi i tillë nuk mund të shpjegohet ndryshe pos ekzistencës së komponentit të frikës, indiferencës dhe indolencës tok me atë të solidaritetit negativ të shkaktuar me implikime në afera të shpërdorimeve të shumta e të mëdha të mjeteve të Fondit ‘Vendlindja Thërret’ dhe të Fondit të 3-përqindëshit, të destinuara për çështjen e Kosovës dhe luftën e lavdishme për çlirimin e saj”, tha prof. Smaka. Sidoqoftë, ai thotë se kjo temë që edhe tani po aktualizohet nga dëshmitarët e kohës nuk do të duhej heshtur. “Tanimë, kur i kemi institucionet e sistemit të drejtësisë, po kjo edhe shumë çështje të tjera do të duhej pritur të trajtoheshin në procedura ligjore konform me rendin juridik aplikativ në vendin tonë. Mjerisht kjo deri sot nuk ndodhi dhe mbetet që Qeveria që do të konstituohej të ndërmerrte masa legale nga juridiksioni i saj në të mirë të zbardhjeve të jo pak aferave kriminale në keqmenaxhimin e parasë së qytetarëve të vendit tonë, mjerisht të nëpërkëmbur dhe të eksploatuar në formë më se të ndryshme, ndër të tjera edhe nga abuzimet evidente me mjetet e fondeve në fjalë”, theksoi Riza Smaka.

Mobi Casa

Prokuroria të nisë hetimet

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se shpërdorimi i dy fondeve të luftës duket se i ka pasuruar grupet e caktuara së pari ushtarake dhe më pastaj në liri edhe politike u kanë shkaktuar dëme të mëdha qytetarëve dhe Kosovës.”Kjo ka prodhuar divergjenca të mëdha politike dhe ndarje të spektrit politik në ‘krahun e luftës’ dhe ‘krahun e paqes’. Dy fonde të luftës rezultuan edhe me dy krahë të luftës, duke krijuar kështu përçarje në popull. Kjo prodhoi edhe me krizë permanente politike dhe institucionale. Ndodhi që grupe të caktuara të këtyre dy fondeve shpërdoruese kurrë deri më sot mos të japin llogari para popullit, se si u shpenzuan fondet apo edhe pati shpërdorime të mëdha të fondeve, të cilat konsiderohet së përfunduan në gjepa privatë. Dihet se paratë e grumbulluara ishin të qytetarëve, dedikuar lirisë dhe pavarësisë së vendit”, u shpreh Mulliqi. Ai konsideron se tani Prokuroria e Shtetit ishte dashur të marrë kurajën që ta hetojë punën e këtyre dy fondeve, edhe pse me vonesë të madhe.”Duhet spastruar gjithçka rreth kësaj teme, në mënyrë që mos të kemi manipulime ndër më të ndryshmet. Flitet në opinion së fondet janë keqpërdorur edhe për qërim hesapesh të ndërsjella të kundërshtarëve ushtarak dhe më vonë politik. Ishte dashur të ngritën debate të ndryshme, edhe në Kuvendin e Kosovës, rreth çështjes së fondeve në fjalë. Të hetohen të gjithë ata, të cilët patën punë me fondet e luftës dhe nëse ka prova natyrisht të detyrohen nga Prokuroria Speciale të përgjigjen edhe penalisht, por edhe duke ua konfiskuar pasurinë e paligjshme. Askush nuk ka të drejtë të bëjë shpërdorime të tilla të parasë së popullit. Dhe, herët a vonë, do të dalin në shesh të gjitha të palarat rreth keqpërdorimeve që janë bërë dhe të cilat e kanë dëmtuar Kosovën, sidomos në planin ekonomik”, theksoi Mulliqi për “Kosova Sot”.

Populli duhet ta dijë se ku përfunduan paratë e tyre

Analisti dhe njohësi i fushës së të drejtës, Blerim Burjani, thotë se sidomos pas këtyre fakteve që po dalin tani, zbardhja e rasteve të pasurimit të pabazë do të jetë e pashmangshme. “Duke parë situatën se si është zhvilluar një kastë e njerëzve që nuk janë për politikë, por që rasti deshi të merren me politikë, ditur e pa ditur se çfarë do të thotë politikë dhe shtet, apo rend dhe ligj, tashmë po shihet qartë situata. Kosova herët a vonë duhet të merret me njerëz që janë pasuruar pa bazë, që nuk do të jetë e lehtë, por sidoqoftë herëdokur do të merren institucionet e rendit dhe ligjit me ta, pra pashmangshëm. Me siguri që këta njerëz nuk do të jenë më pjesë e mbrojtjes nga politika dhe pushteti, por as nga liderizmi”, u shpreh ai. “Koha po ec shpejt, ndërsa Kosova ka nevojë për një reformë të plotë institucionale dhe pastrim nga kasta e njerëzve që thuhet se merren me politikë. Këta njerëz një ditë do të ballafaqohen me realitetin e drejtësisë, kjo është e pashmangshme, sepse shumë fonde të bëra në kohë të ndryshme, para dhe pas luftës, që nuk dihen ku janë tretur, duhet të hetohen dhe të dihen ku dhe si janë shpenzuar, sepse këto para ishin para të qytetarëve të shtetit të Kosovës. Dikush duhet të dijë se çfarë ka ndodhur me këto para, sikurse duhet të dihet se si u pasuruan njerëzit në kurriz të taksapaguesve”, tha Blerim Burjani.

Rrjeti i abuzuesve e ka kapur shtetin

Zbardhjen e fatit të fondeve të luftës, hetimin e tyre për mundësi të pasurimit të njerëzve të politikës, si nevojë e kërkon edhe politologu Gurakuq Kuçi, ndonëse sipas tij kjo është një çështje shumë komplekse.”Ka një problem në këtë çështje, sepse këtu nuk janë të përfshirë vetëm ata që i shohim, përveç tjerash keqpërdorimi i këtyre dy fondeve nuk mund t’i mveshen si tërësi as LDK-së e as UÇK-së. Pra, kemi të bëjmë me grupe dhe individë që duhet thirrur në përgjegjësi. Por, këta njerëz i kemi në pushtet, të cilët edhe i kanë pushtuar të gjitha institucionet dhe i kanë blerë heshtjet e njerëzve tjerë që mund t’i zbardhin. Andaj, këto çështje nuk do të zbardhen në asnjë momente nga Kuvendi i tanishëm dhe klasa e tanishme politike”, tha Kuçi për “Kosova Sot”. Skeptik se do të arrihet deri te e vërteta e plotë e shpërdorimit të këtyre fondeve dhe gjykimit të shpërdoruesve të tyre është edhe analisti Ali Hertica. Edhe ai e bazon mosbesimin e tij në këtë çështje nga fakti se rrjeti i abuzuesve me këto fonde e ka kapur tërësisht shtetin, politikën, por edhe drejtësinë. “Lufta mediatike e këtyre personazheve përgjegjëse të pasurimit të ‘komandantëve’ bëhet pa ndonjë frikë se mos prokuroria do të nisë hetimet për akuzat e ngritura ndaj njëri-tjetrit. Këta e njohin mirë se kush e drejton sistemin e drejtësisë, janë pikërisht shokët e tyre që njëjtë janë të zhytur në korrupsion, andaj nuk e kanë guximin të fillojnë hetimet, sepse diku jo larg hetimet ndoshta do t’i dërgojnë në adresën e tyre. Milionat e fondeve dyshohet po ashtu se u përdoren edhe për vrasjet politike dhe pasurim të ‘komandantëve’. Arsyeja tjetër është se shefat e Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, ua dhanë milionat krerëve të LPK-së, krejt pajustifikueshëm dhe pa fije mbulese, sepse Lëvizja ishte më shumë simbolike sesa faktike, ngaqë ajo nuk përfaqësonte forcë reale në luftë”, u shpreh ai. “Thënë troç, paratë e marra, qoftë nga Fondi legal, ligjor i 3%-shit, qoftë nga Fondi ilegal, i paligjshëm, me emërtesën emocionale “Vendlindja thërret”, nuk u përdorën kurrë për luftën, përkundrazi mbetën xhepave të ‘komandantëve’ pa ushtarë dhe u përdorën kryesisht për pagimin e bandave mercenare në vrasjet politike dhe pasurimin marramendës të ideatorëve, organizatorëve, kryekriminelëve pushtetarë me bashkëpunëtorë”, tha Ali Hertica.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.