OJQ “Lobimi..”: Mos e ngulfatni shoqërinë civile…

Gjilan – Grupi i analistëve politik të Organizatës “Lobimi për Ligjin dhe Demokracinë”, ka reaguar ndaj deklaratës se Valentina Rexhepit – kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Në një reagim të OJQ “Lobimi..” rreth deklaratës së Valentina Rexhepit thuhet se ajo nuk është korrekte në reagim, edhe pse “politikë” por e ka njëfarë rendi të sinqeritetit edhe kjo veprimtari ndër më të rëndat që njeh njerëzimi.
“Grupi i analistëve politikë të Organizatës “Lobimi për Ligjin dhe Demokracinë” ka konstatuar se Kuvendi Komunal aktual i komunës së Gjilanit ka këshilltar komunal jo adekuat dhe me opozitë të dobët, ndërsa ne në asnjë mënyrë nuk e kemi thënë se këta këshilltarë nuk e përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve ashtu siç keni thënë ju dhe mendojmë se kjo është një nga pikat e juaja që assesi nuk ndërlidhet me analizën tonë” thuhet në reagim.
Tutje thuhet se profesionalizmi nuk matet me votat të cilat i keni marrë në zgjedhjet e fundit ashtu siç keni pohuar ju, pra nuk ju amniston nga përgjegjësia profesionale dhe fundja ju nuk mund të tregoni se si duhet bërë analizat sepse nuk ju takon ky profesion, sepse partitë politike janë të pavarura në përcaktimin e kandidatëve për këshilltarë komunal dhe këta kanë qenë të ofruar për qytetarët që i janë imponuar qytetarëve, por profesionalizmi matet me parametrat e tjerë se sa një person është i dëshmuar në jetën sociale dhe profesionale.
Aktualisht ju jeni Kryesuese (udhëheqëse) e KK të Gjilanit dhe reagimi i juaj për ta arsyetuar kalimin e këshilltares Mizafere Ismajli nga AKR në LDK në mënyrën ma të ulët, perfide dhe pa fije morali politik, duke tradhtuar votuesit e subjektit politik AKR dhe tash ju LDK-ja duke ja “shnuk” pa fije mëshire votuesit vullnetin e ti, kjo është “non sens” dhe “qoroditje politike” që kësi oferte politike dini të bëni veç ju, kjo nënkupton se ju ende nuk jeni e përkushtuar ta përfaqësoni unitetin e këshilltarëve të KK të Gjilanit, por më tepër e luani rolin e mbrojtësit për LDK nga ky pozicion dhe aspak nuk i shërben ky reagim i juaj e partisë tuaj e as frymës politike të botës bashkëkohore.
Ne kemi arritur që të identifikojmë se përzgjedhja e këtyre këshilltarëve është zgjedhje jo adekuate dhe me jo profesionista, e këtu askush nuk mund të nxjerr përfundimin se ne jemi munduar të ndërhyjmë në punën organizative të Kuvendit sepse nuk ka elemente të tilla nga analiza jona dhe ju ftojmë në këtë drejtim të jeni më e kujdesshme dhe ta respektoni mendimin e shoqërisë civile.
Secila organizatë e shoqërisë civile e ka misionin e saj ashtu sikurse edhe ne, andaj çdo veprim jo i mirë politik dhe joligjor të udhëheqësve komunal na obligon moralisht neve si organizatë profesionale të reagojmë në mënyrë që të evitohen lëshimet apo të metat që mund të bëni ju joprofesionistët politik. Kjo në shoqëritë moderne demokratike mirëpritet ndërsa tek ju po shihet si “fyerja ndaj qytetarëve të Gjilanit” gjë që aspak nuk është e vërtetë dhe është një tentim për ta ngulfatur shoqërinë civile që në fillim të punës suaj, sepse ne nuk e kemi kontestuar vullnetin e qytetarëve, por i kemi kritikuar partitë politike se çfarë kandidatë joprofesionist kanë ofruar në listat e tyre.
E nderuara znj. Kryesuese dhe udhëheqëse e Kuvendit Komunal të Gjilanit po ju bëjmë me dije që ne si organizatë kemi analizuar të gjitha rrethanat dhe jemi në gjendje që të hapim debat publik nëse dëshironi dhe t`i analizojmë veç e veç secilin këshilltar në mënyrë që të shohim se cilët janë ata që janë të dëshmuar në ndonjë fushë apo profesion.
Jemi duke e kryer punën tonë shumë mirë, ndërsa ju keni kujdes mos u mundoni ta mjegulloni rrugën e shoqërisë civile sepse qeverisja mund të ju dështojë, e ne si organizatë nuk jemi të interesuar për një gjë të tillë por jemi të interesuar tu tregojmë se çka nuk duhet bërë që keni progres dhe qeverisje adekuate nga ana e juaj.
Kujdes – Komunën e keni në besim, por kurrë nuk do të bëhet e juaja thuhet në përgjigjen e Grupit të analistëve politik të Organizatës “Lobimi për Ligjin dhe Demokracinë”./rajonipress/