OJQ “Fortesa”: Kujdes me bursat e studentëve

Kamenicë – OJQ “Fortesa” kërkon nga drejtoria e Arsimit në Kamenicë që të mos e përsëris praktikën e abuzimit me fondin e bursave për studentët. Gjatë viteve të kaluara, bursa u janë dhënë studentëve që kanë të njohur, familjarëve të udhëheqësve komunalë dhe atyre me vërtetime e dokumente të falsifikuara, duke shkelur kështu kriteret e konkursit kanë thënë drejtuesit e kësaj organizate.
“Meqenëse në Kamenicë ka ndryshim pushteti, i bëjmë thirrje organeve të reja që ta eliminojnë abuzimin me fondet publike, të bërë tashmë dukuri. Nga viti në vit janë vërejtur shkelje në listat e studentëve që kanë përfituar bursa, duke lënë jashtë skemës ata që kanë plotësuar të gjitha kriteret” thuhet në reagimin e OJQ “Fortesa”.
OJQ “Fortesa” vlerëson se është mirë që në të ardhmen të shikohen mundësitë buxhetore dhe të rritet fondi për bursat e studentëve, ku në këtë skemë të futen edhe nxënësit e shkollave të mesme me gjendje të rëndë ekonomike./rajonipress/