Oficerët hetues, në mbështetje të krimit të organizuar
Tentohet shkatërrimi i hetimeve për Sali Mekajn. Deputeti Salihaj: Një sistem i krimbur nga krimi nuk mund ta krijojë një shtet të pastër ligjor.
Sipas burimeve nga Prokuroria e shtetit, dikush po mundohet të sabotojë dhe t’i dështojë edhe faktet që Prokuroria i ka mbledhur deri më tani në këtë rast, pasi detaje të ndjeshme janë bërë publike.”Nga dyshimet nuk amnistohet askush nga grupi që është marrë me çështjen, pasi Sali Mekaj ka njerëz të tij në të gjitha institucionet, por më tepër dyshimet anojnë nga oficerët hetues”, ka thënë një burim i gazetës. Prokuroria e shtetit nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, ndërkaq që për oficerët hetues denoncimet vijnë edhe nga avokatët
Për herë të parë në Kosovë, 16 vjet pas çlirimit, drejtësia dha sinjale pozitive në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Arrestimi në zyrë i Sali Mekajt në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Apelit, ndezi dritën jeshile për pastrimin e institucioneve të drejtësisë dhe jo vetëm nga të inkriminuarit. Pasi tri herë radhazi kishin dështuar hetimet ndaj Sali Mekajt nëpërmjet masave të fshehta, së fundmi Prokuroria arriti që nëpërmjet dyshimeve të bazuara, siç ka thënë prokurorja Drita Hajdari në gjykatë, të kryejë arrestimin e ish-kryegjyqtarit Mekaj.
Por, sipas burimeve nga Prokuroria e shtetit, dikush po mundohet të sabotojë dhe t’i dështojë edhe faktet që Prokuroria ka mbledhur deri më tani në këtë rast, pasi detaje të ndjeshme janë bërë publike. Pyetja shtrohen se kush fshihet pas sabotimit të hetimeve ndaj Sali Mekajt dhe se a duhet të fillojnë edhe hetimet për të zbardhur spiunin që është brenda grupit hetimor, i cili po kërkon që ta degradojë këtë çështje, gjithashtu për motive korruiptive. Dihet tashmë se kush e ka në dorë informacionin e detajuar, pasi përveç Prokurorisë janë oficerët hetues, por edhe avokatët. “Nga dyshimet nuk amnistohet askush nga grupi që është marrë me çështjen, pasi Sali Mekaj ka njerëz të tij në të gjitha institucionet, por më tepër dyshimet anojnë nga oficerët hetues të policisë “, ka thënë një burim i besueshëm i gazetës.
Prokuroria e shtetit nuk ka akoma një qëndrim zyrtar për këtë çështje, ndërkaq që për oficerët hetues denoncimet vijnë edhe nga avokatet. Sipas avokatëve, kryesisht oficerët hetues i shkatërrojnë pjesën më të madhe të rasteve në rast se nuk u jepet 20 përqindëshi (si hise ) nga avokatët. “Oficerët hetues kërkojnë 20 përqindëshin nëse ne duam ta fitojmë rastin në gjykatë”, ka treguar një avokat, i cili së shpejti premton se do t’i publikojë edhe emrat e oficerëve hetues pazarxhinj për motive korruptive./kosova sot/


