Ofertat e kandidatëve të jenë reale dhe në linjë me mandatin
Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, i ka ftuar kandidatët për kryetarë të komunave, që ofertat e tyre për qytetarët në këto zgjedhje të jenë reale dhe në linjë me mandatin e tyre.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gjatë një muaji të fushatës pret të shohë ambicie strategjike dhe zhvillimore të kandidatëve që janë në përputhje me mandatin dhe me kontekstin.
Nga ajo që shihet në fillim, sipas Tahirit, kandidatët më shumë po ‘pikturojnë’ shpresën e qytetarëve sesa mundësitë reale që ekzistojnë.
Tahiri ka paralajmëruar garë interesante në gjashtë qendrat e mëdha të Kosovës, duke shtuar se shumica e komunave do të shkojnë në balotazh.
“Epoka e re”: Z. Tahiri, tashmë ka filluar fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Në cilësinë e drejtorit të Institutit për Qeverisje Lokale, si pritni të shkojë ky proces?
Tahiri: Për dallim nga fushata për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, zgjedhjet për nivelin lokal kanë hapësirë të mjaftueshme qoftë për përgatitjen teknike të procesit nga KQZ-ja, po ashtu edhe për përgatitjen e platformave dhe shpalosjes së tyre nga kandidatët. Është e rëndësishme të thuhet se, për shkak të vonesave për themelimin e institucioneve, shihet se fokusi deri tani nuk ka qenë te komunat. Pas hapjes zyrtare të fushatës, vërehet vëmendje më e lartë qoftë nga subjektet, mediet apo vetë qytetarët për këtë proces. Përgjithësisht sa i përket procesit zgjedhor dhe fushatave, tashmë Kosova ka treguar se po u përafrohet standardeve për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Pavarësisht se zgjedhja e drejtpërdrejtë e përfaqësimit, qoftë për kryetarin apo asamblistët, ka rritur kredencialet, mbetet ende shumë punë për forcimin e themeleve demokratike, edhe pse vetë konsolidimi i demokracisë kërkon përpjekje të mëdha nga të gjithë aktorët. Problem shqetësues mbetet mosinformimi dhe mosnjohja e mirë e procesit të votimit, duke ditur se në zgjedhjet paraprake është shënuar rekord i votave të pavlefshme – rreth 50 mijë. Fakti bëhet edhe më i rëndë duke pasur parasysh se tashmë votohet me dy fletëvotime ndaras, njëri për Kuvend, tjetri për kryetar. Është e rëndësishme që KQZ-ja të gjejë forma për informim të saktë të votuesve, njëkohësisht subjekteve u bie përgjegjësia të ofrojnë para qytetarëve qartësi në mënyrë që të rritet numri i dalësve në zgjedhje.
“Epoka e re”: Vendet e Quintit i kanë ftuar partitë politike dhe kandidatët e tyre të angazhohen për fushatë të lirë demokratike dhe të qetë. A mendoni se do të respektohen këto standarde në këtë fushatë?
Tahiri: Është tashmë e qartë thirrja e vendeve mike, por përtej kësaj edhe subjektet politike dhe vetë qytetarët e kanë të qartë se vetëm një proces i lirë, demokratik dhe transparent u siguron përfaqësim dhe legjitimitet të plotë. Para së gjithash, është meritë e qytetarëve lëvizja e trajektores nga një gjendje ku zgjedhjet përshkoheshin me probleme në atë që mund ta quajmë standard demokratik zgjedhor. Megjithatë, problemi mbetet përzgjedhja e gjuhës që do ta përdorin subjektet dhe kandidatët, e kjo mund të çojë në tensione që mund të reflektohen te votuesit dhe të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit


