Uji Dea

Oferta e PDK’së për Opozitën – zyrtarët e LDK’së nuk dinë asgjë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

PDK ka paralajmëruar një marrëveshje të re me Opozitën për të dalë nga kriza politike. Ka thënë se oferte e tyre do të jetë serioze. Me këtë ofertë nuk është e njoftuar as udhëheqësja e Qeverisë, LDK’ja. Zyrtarët e Partisë së Isa Mustafës thonë se s’kanë diskutuar me PDK’në për ndonjë marrëveshje me Opozitën. Në këtë situatë, Presidenti në ardhje, Hashim Thaçi ka thënë se do t’i shpallë zgjedhjet e reja nëse partitë merren vesh.

Ramush Haradinaj, Visar Ymeri e Fatmir Limaj shumë shpejt mund ta kenë para vetës propozimin e PDK’së për tejkalimin e krizës politike. Këtë e kishte paralajmërim e ka dhënë u.d i Kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, të premten e kaluar, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Shumë shpejt do të ketë një ftesë të veçantë për opozitën, e cila është shumë serioze”, kishte paralajmëruar udhëheqësi aktual i PDK’së.

Veseli s’kishte treguar detaje të propozimit të PDK’së për daljen nga kriza por s’e kishte mohuar edhe mundësinë e dakordimit për një datë të re të zgjedhjeve nacionale. Por, gjithçka kishte thënë se do të bëhet me marrëveshje.

Opozita ende s’është njoftuar me këtë plan të PDK’së. Tre liderët opozitarë kanë mbajtur tubimin e fundit të shtunën ku kanë paralajmëruar protestën e madhe për 27 mars.

Por, për planin e PDK’së s’ka njohuri as Partia e Isa Mustafës, e cila udhëheqë me Qeverinë e Kosovës.

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, ka thënë për Express, se s’kanë diskutuar për asnjë zgjidhje të re me PDK’së. Ka thënë se Qeveria dhe LDK është në pozicionet që kanë qenë më herët.

“Ne nuk kemi diskututuar për këtë çështje me partnerin e koalicionit”, ka deklaruar Rugova, për Express, të dielën.

“Ne jemi në pozicione të njëjta. Vazhdon marrëveshja e koalicionit ndërsa ndonjë ofertë për opozitën s’është diskutuar në LDK”, ka shtuar ai.

Uji Dea

Opozita ka refuzuar çfarëdo dialogu me Qeverinë e udhëhequr nga LDK në koalicion me PDK’në dhe minoritetet.

Ndërkohë, Presidenti në ardhje, Hashim Thaçi ka thënë se është i gatshëm t’i shpallë edhe zgjedhjet e reja nëse partitë pajtohen për një datë të re të zgjedhjeve.

“Si President unë do t’i ftoj pozitën dhe opozitën të dialogojnë dhe sa për zgjedhje kjo i takon partive politike të cilat nëse merren vesh për këtë çështje unë jam gati t’i shpalli ato në bazë të përgjegjësive që më takojnë”, kishte thënë Thaçi, në një intervistë në RTV21.

As për këtë pikë s’kanë njohuri në LDK’në.

“Nuk kemi biseduar dhe askush nga LDK s’e ka nxjerrë në rend dite një diskutim të tillë”, thotë njeriu i dytë në LDK.

Ndërkohë, për mundësinë e zgjedhjeve të reja kishte folur edhe Nënkryetari tjetër i LDK’së, Lutfi Haziri. Kishte thënë se në zgjedhje të reja shkohet vetëm nëse për këtë vendos LDK dhe askush tjetër.

“Këtë vend në zgjedhje e çon veç LDK dhe s’ka asnjë individ e parti politike tjetër. Pa LDK-në, nuk ka as zgjidhje as zgjedhje. Kudo që është LDK, aty ka sukses”, kishte shkruar Haziri, në FB.

Sidoqoftë, Kadri Veseli kishte thënë se beson se Opozita do ta pranojë ftesën e PDK’së për marrëveshje.

“Me marrëveshje janë bë pavarësia dhe shumë interesa të vendit, andaj jam optimist se opozita do ta pranoj ftesën”, kishte thënë ai.