RCCOLA

Oda Ekonomike Amerikane: Është shqetësuese kërkesa për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

/ 3 minuta lexim

Në kohën kur iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale (Trusti) është vënë në agjendën e Kuvendit të Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane ka përsëritur shqetësimin e saj lidhur me miratimin e mundshëm të ndryshimeve të propozuara të cilat do të bënin të mundur tërheqjen e një pjese të kursimeve të kontribuuesve pensional.

OEAK-u thekson se tkurrja e kursimeve pensionale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit.

“Duke mirëkuptuar shqetësimin e iniciuesve dhe ithtarëve të ndryshimeve të propozuara për sa i përket ngritjes së kostos së jetesës, Oda Amerikane rikujton se tkurrja e kursimeve pensionale në llogari të përballimit të sfidave aktuale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit”, thuhet në reagimin e OEAK-ut.

Kjo odë vë në pah se tkurrja e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale.

“Po ashtu, duke pasur parasysh që një pjesë e fondeve të kursimeve pensionale janë të investuara në bonot e thesarit, tkurrja e mundshme e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale, e cila në anën tjetër do të ngadalësojë edhe rritjen ekonomike”, thotë kjo odë.

Fidanishtja

Në fund, një tërheqje e till e kursimeve do të sjell përfitime afatshkurta socio-ekonomike.

“Përfitimet afatshkurta socio-ekonomike nga të mundësuarit e tërheqjes së kursimeve pensionale nuk do të tejkalonin në asnjë mënyrë pasojat negative të një mase të tillë. Prandaj, politikbërësit në Kosovë, shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare, por edhe hisedarët e tjerë, duhet të përfshihen në dialog gjithëpërfshirës me qëllim të identifikimit të masave të duhura për tejkalim të krizës aktuale dhe asaj që mund të pasojë në muajt në vijim”, përfundon OEAK-u.

Ndryshe, deputeti Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.

Deputetë nga opozita janë pro lejimit të një tërheqje të re nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e Kosovës. /Telegrafi/