O’Connell: Ne nuk mbështesim partitë, por mbështesim popullin e Kosovës

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell në një editorial ekskluzivisht për gazetën Zëri, ka shkruar rreth gjendjes aktuale në Kosovë.Ai ka thënë se Kosova qëndron në një pikë të rëndësishme në demokracinë e saj të re. Populli i Kosovës ka arritur jashtëzakonisht shumë për pak vite pas konfliktit, dhe sidomos që nga pavarësia. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme.
“Gjatë javës së fundit, unë kam folur me krerët e opozitës, duke përfshirë z. Kurti. Unë e njoh z. Kurti dhe z. Haradinajn për më shumë se dhjetë vjet. Kam kaluar mbrëmjen e Pavarësisë së Kosovës me Fatmir Limajn .Mesazhi im për ta ka qenë i qartë. Mbretëria e Bashkuar është mike e Kosovës. Ne nuk mbështesim partitë, por ne mbështesim popullin dhe institucionet e Kosovës. Ne bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet e zgjedhura, PDK, LDK, SL dhe 6+ në qeverinë qendrore, ‘Vetëvendosje’, AAK, AKR dhe të tjerët nëpër komuna, si dhe punojmë me “Nismën” në Kuvend. Megjithatë, ne presim një angazhim minimal në normat e demokracisë. Kjo përfshin respektimin e vullnetit të popullit siç është Parlamenti dhe ku dhuna nuk ka vend”, ka shkruar O’Connell. /Zëri/