UBT

O’Connell: Kosova se ka të lehtë, por duhet t’i marrë përgjegjësitë e saj

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell në një shkrim autorial theksoi se është koha që Kosova t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë.Ai tha se nuk pretendon se Kosova e ka të lehtë, pasi sipas tij, trashëgimia e luftës do të thotë se Kosova ka pasur një lindje të vështirë.

“Unë nuk do të pretendoj se Kosova e ka të lehtë. Ajo nuk e ka. Trashëgimia e luftës do të thotë se Kosova ka pasur një lindje të vështirë. Pengesat e vazhdueshme për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ndikojnë që Kosova të mbetet prapa. Le të mos harrojmë, megjithatë, pse Kosova është në një pozicion unik. Kosova ishte i vetmi vend në botë që pati një proces të miratuar nga OKB-ja, që çoi drejt pavarësisë. Nëse situata e Kosovës është unike, kjo është për shkak se çdo gjë në lidhje me historinë e fundit të Kosovës, nga ndërhyrja e NATO-s e deri te pavarësia, është unike”, shprehet ambasadori.
Megjithatë, sipas tij, është e lehtë ta gjesh dikë për ta fajësuar. “Serbia, dhe po, bashkësia ndërkombëtare, janë objektiva të lehta. Ndoshta ka edhe arsye të mira për të fajësuar veprimet e të tjerëve. Por, duke fajësuar të tjerët, thjesht, Kosova nuk do të lëvizë përpara”, shprehet ambasadori O’Connell.

Fundamenti

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar njohu pavarësinë e Kosovës, sepse kanë besuar se Kosova mund dhe duhet ta marrë përgjegjësinë për punët e veta.

“Unë besoj në popullin e Kosovës dhe fuqinë e tij për ta transformuar Kosovën dhe për të ofruar diçka të veçantë në Evropë dhe në botë. Lëvizja për ta mbështetur Rektorin e Universitetit të Prishtinës tregon se çfarë mund të arrijnë qytetarët. Qytetarët e Kosovës kanë votat e tyre në duart e tyre; me këto vota ata zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe do të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Ne do të jemi këtu për të punuar me përfaqësuesit që ju i zgjidhni, dhe për të ndihmuar në përparimin e Kosovës”, u shpreh ambasadori. /Telegrafi/