O’Connell: Është koha për dialog serioz, dhuna dëmton Kosovën

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, në Facebook ka reaguar rreth zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se dhuna do ta dëmtojë Kosovën.Sipas tij, të mërkurën qytetarët e Kosovës treguan se mund të thonë fjalën e tyre pa dhunë e kërcënime, por dhuna që pasoi sot, është shqetësuese për të.
Më poshtë gjeni të plotë reagimin e O’Connell:
Çfarë lloj kulture politike dëshiron Kosova?
Qytetarët e Kosovës, të mërkurën treguan se është e mundur të thonë qëndrimet e tyre me dinjitet, pa dhunë dhe kërcënime. Por, çfarë do të mendojnë kosovarët rreth dhunës dhe retorikës që ka pasuar pas protestës?
Dhuna do ta dëmtojë Kosovën. Sigurisht, tash është koha që të gjithë liderët e Kosovës, nga të gjitha anët, të tregojnë se mund t’i zgjidhin problemet e Kosovës vet. Është koha për një dialog serioz, ashtu siç presidentja ua ofroi për gjashtë muaj. Tetë vjet pas pavarësisë, është koha që Kosova të sillet si një demokraci normale evropiane. A nuk është kjo ajo që duan qytetarët e Kosovës?