Objektivat kryesorë nuk u përmbushën
Përafrimi i Kosovës me proceset integruese në BE- nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave, ishin dy objektiva të paarritshme për lidershipin e Kosovës edhe në vitin që po lëmë pas. Kryeministri i ri i vendit, Isa Mustafa, me të marrë detyrën, ka deklaruar se prioritet i kësaj qeverie në vitin vijues do të jetë procesi i integrimeve, avancimi serioz në këtë drejtim, që duhet arritur me nënshkrimin e shpejtë të MSA-së dhe ambiciet e marrjes së datës për liberalizim të vizave në vitin 2015.
Edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku është shprehur në këtë fundvit të 2014-tës se të dyja këto procese që ka vendi përpara do të jenë në top prioritet të institucioneve të reja vitin që po shkelim, sidomos përkushtimi më i madh në procesin e liberalizimit të vizave.
“Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm se ne si qeveri, si institucione duhet t’i përmbushim obligimet deri në pikën e fundit të gjitha kërkesat që dalin nga Komisioni Evropian dhe mos të lëmë asnjë arsye të vetme që ata të na shikojnë me çfarëdo rezerve apo çfarëdo hezitimi. Për këtë gjë ju premtoj se kjo do të realizohet nga ana ime dhe nga ana e tërë Qeverisë dhe dikastereve qeveritare, sepse për këtë ka vullnet, ka zotim politik dhe mbi të gjitha është domosdoshmëri”, ka thënë Çollaku. Mirëpo, njohës të kësaj fushe nga shoqëria civile dhe analistët politikë, janë shumë skeptikë që humbja e hapit në këtë drejtim gjatë vitit që po lëmë pas do të mund të kompensohet me aq lehtësi në vitin që po shkelim.
Me MSA-në jemi disa vjet pas rajonit
Ariana Qosaj-Mustafa, nga instituti KIPRED, ka thënë se Kosova në raport me kërkesat e BE-së fatkeqësisht ka mbetur shumë mbrapa.
“Fakti që ende nuk e kemi arritur liberalizimin e vizave, duke mbetur i vetmi vend në rajon ku qytetarët tanë nuk mund të udhëtojnë pa viza, është mjaft dekurajues. Në anën tjetër, me zhvillimin e ulët ekonomik dhe nivelin e migrimit ilegal, posaçërisht në këta muajt e fundit, mbetet edhe më sfiduese që do të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve tanë në BE gjatë vitit 2015”, tha Mustafa për “Kosova Sot”. Ajo po ashtu hap mbrapa që është shënuar, dhe do të jetë sfidë e arritjes për vitin në vijim, e konsideron edhe mbetjen pezull të nënshkrimit të MSA-së. “Po ashtu edhe marrëveshja e stabilizim asociimit mbetet ende e pa nënshkruar, edhe pse kishte indikacione që do ta nënshkruanim në mesin e këtij viti. Pra, moskrijimi i qeverisë nga pala kosovare për 6 muaj nuk i ka ndihmuar këtij procesi. Sa për rikujtim, Kosova me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit është edhe ashtu disa vite mbrapa në krahasim me vendet e rajonit”, tha Ariana Qosaj-Mustafa.
Ajo ka pohuar se duke u ndërlidhur me të dyja këto ngecje që mbeten nga viti që po kalojmë, procesi i përafrimit me BE-në për shtetin e ri të Kosovës do të mbetet një “arrë” e fortë edhe në vitin vijues, ngase edhe sfidat që do të mbesin në këtë vit, në raport me BE-në, mbesin shumë konkrete ato për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit me një koalicion qeverisës që në fakt, sipas saj, e ka amnistuar çdo krim të korrupsionit që është bërë gjatë qeverisjes së fundit. “Të dy partitë në pushtet, me afera korruptive si në nivel komunal, ashtu edhe qendror, nuk do të kenë interes të përbashkët ta luftojnë korrupsionin, sepse do të duhej ta akuzonin edhe njëri-tjetrin, e në koalicione të tilla të panatyrshme kjo do të jetë gati e pamundur”, tha Ariana Qosja-Mustafa.
Prioritetet u neglizhuan
Se rruga mbetet e largët për Kosovën në procesin e integrimeve pajtohet edhe analisti politik, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. “Në përgjithësi, duke marrë parasysh edhe të dhënat që dalin nga Raporti i Progresit të BE-së për Kosovën, institucionet e Kosovës, për shumë arsye, nuk kanë adresuar, për të mos thënë kanë neglizhuar, në masë të madhe shumicën e prioriteteve në fushën e integrimit evropian dhe atyre në fushën e liberalizimit të vizave. Pra, duke filluar nga janari i 2014, me fillimin e para-fushatës zgjedhore, institucionet e Kosovës u shndërruan në menaxhere të stabilitetit institucional, dhe aplikuan, rëndom, një ritëm natyral të adresimit të prioriteteve”, tha Doli për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se tanimë ritmi i adresimit të sfidave nga institucionet e Kosovës kërkon dinamik të jashtëzakonshme të punëve, shumë herë më të mëdha krahasuar me vendet e rajonit, si e vetmja zgjidhje për të kaluar Kosovën një shkallë më lart në procesin e zhvillimit të brendshëm dhe integrimit evropian.


