UBT

O Adnan?!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ndeshjet e deritanishme kualifikuese për Botëror kanë treguar se Kosovës do t’i ndihmonin shumë yjet më të mëdhenj, të cilët përfundimisht i ka humbur. Mirëpo, një mundësi e tillë ligjore ende e ka në dispozicion Adnan Januzaj, pas të cilit Kosova është lodhur duke vrapuar. Andaj është ndalur duke ia lënë derën hapur Adnanit që t’i bashkohet, nëse dëshiron. Por, vetë lojtari nuk po afrohet, e madje nuk po ndihet i gjallë karshi përfaqësueses sonë, e cila ka mbetur e vetmja që e pranon, shkruan sot Gazeta Zëri.

Albert Bunjaki ka paralajmëruar se Kosova do të përforcohet me disa futbollistë në vazhdim të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Përzgjedhësi kosovar ditë më parë i ka thënë “Zërit” se për ndeshjen e nëntorit kundër Turqisë, përfaqësueses sonë pritet t’i bashkohen Atdhe Nuhiu e Loret Sadiku, kurse nga lëndimi do të kthehet edhe Enis Alushi. Ndërkohë, nga janari, sipas Bunjakit, në dispozicion të Kosovës pritet të jenë edhe dy sulmuesit e njohur, Besart Berisha dhe Erton Fejzullahu.

Mirëpo, Kosova përfundimisht i ka humbur yjet e mëdhenj, si Xherdan Shaqirin, Valon Behramin e Granit Xhakën, etj. I vetmi yll që ende ka mundësi ligjore për t’iu bashkuar Kosovës është Adnan Januzaj, i cili deri më tani është treguar shumë i ftohtë karshi vendit të prindërve të tij duke mos i dhënë asnjë shans Bunjakit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që t’i bëjnë ftesë për t’iu bashkuar Kosovës.

Sjellja e tillë e Adnan Januzajt dhe babait të tij, Abedinit, i ka zhgënjyer Bunjakin dhe drejtuesit e FFK-së, të cilët sikur kanë hequr dorë prej tij edhe pse menaxhmenti i përfaqësueses kosovare konfirmon për “Zërin” se 21 vjeçari ligjërisht ende ka mundësi t’i bashkohet Kosovës, pasi nuk është paraqitur në asnjë lojë me Belgjikën prej anëtarësimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA.

“Për mua dhe për Adnanin është e mira që ai të mos vijë te Kosova. Nëse nuk ka ndjenja për vendin e tij, atëherë ne nuk kemi nevojë për të. Jemi munduar ta kontaktojmë në shumë mënyra, por nuk kemi arritur. Së fundmi kemi tentuar ta kontaktojmë edhe përmes klubit të tij, por kot”, kishte thënë Bunjaki.

FIDANISHTJA

Por, pas një kohe të shkurtër, Bunjaki kishte zbutur qëndrimin karshi mesfushorit të Sunderlandit. “Nuk ja mbyllim derën Adnan Januzajt. Ne kemi shprehur interesim. Por, tani ai duhet të trokasë në derën e FFK-së”, ishte shprehur Bunjaki.

Ndërsa, tani kur Bunjaki pyetet për çështjen “Januzaj”, sikur nuk dëshiron të komentojë. “Unë u përmbahem deklaratave që kam dhënë më herët në lidhje me Adnanin”, tha Bunjaki të dielën për “Zërin”.

Përderisa Kosova është e vendosur të mos vrapojë më pas Adnanit që po i ikte në vazhdimësi, vetë lojtari ende nuk e ka bërë asnjë hap drejt Kosovës, e për më tepër, nuk e ka dhënë asnjë shenjë të vetme pozitive. Ky qëndrim i tij është shumë i çuditshëm, sepse ai ka nevojë më shumë për Kosovën sesa Kosova për shërbimet e tij. Kjo pasi Kosova konsiderohet si mundësi e artë për karrierën e tij, pasi Januzaj rrezikon seriozisht të mbetet pa e përfaqësuar asnjë shtet. E kishte refuzuar Shqipërinë, kishte luajtur pak për Belgjikën, e cila tani nuk po e fton, nuk po llogaritë në të, me fjalë tjera nuk po e do aspak.

Krejt kjo histori do t’i mbetej së kaluarës sikur Januzaj t’i bashkohej Kosovës, sidomos tani kur përfaqësuesja jonë ka nevojë për futbollistë sa më cilësorë, ndërsa edhe vetë lojtari ka nevojë të rilindë pas një rënie të fortë, për çka Kosova ndoshta do t’i ndihmonte shumë. Nëse për asgjë tjetër, zgjedhja e Kosovës do t’i mundësonte Adnanit t’i pushtojë ballinat e gazetave botërore, ashtu siç i mbulonte dikur, por vetëm për një kohë të shkurtër. /Zëri/