Fundamenti

Nxënësit nga Vaudi, festë madhështore për 100 vjetorin

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ky vit jubilar si asnjëherë më parë i kishte motivuar si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit e tyre që të paraqiten në skenë me një program sa më të mirë dhe të zgjedhur artistik që në mënyrën e tyre të japin një kontribut për një manifestim sa më të bukur e të suksesshëm.

Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në kantonin Vaud ka festuar me një program të pasur jubileun e shtetit shqiptar. Të gjitha shkollat shqipe që punojnë në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri” në kantonin Vaud ishin prezent në manifestim. Në skenë defiluan mbi 150 nxënës duke kënduar, vallëzuar apo recituar. Veshja kombëtare ose kombinimi i ngjyrave kuq e zi dominonte.

Flamuri i madh kombëtar dhe skena e përgatitur me shije enkas për këtë manifestim nga piktori ynë Samedin Asllani i jepnin si bukurinë ashtu edhe madhështinë e duhur këtij manifestimi shkollor.

Salla ishte përplot me prindër të ardhur me fëmijët e tyre për të festuar së bashku këtë jubile më se të rëndësishëm të historisë sonë. Por në sallë munguan përfaqësuesit e shteteve tona që janë këtu në Zvicër. Asnjë ambasador, konsull, vice-konsull apo nëpunës tjetër nuk ishte prezent në sallë, thuhet në shkrimin e botiar në portalin e LAPSH-it të kantonit Vaud. Edhe përfaqësuesit e medieve shqiptare këtu në Zvicër munguan.

Nëse mjetet tona të informimit në gjuhën shqipe kanë ngjarje tjera shumë më të rëndësishme për të përcjellë kjo nuk vlente edhe për zviceranin Frank, që punon dhe jeton po ashtu nga kjo punë, të vijë dhe të regjistrojë pa shumë zhurmë dhe falas tërë manifestimin tonë.

Mobi Casa

Por pavarësisht të gjithave, në Lozanë u mbajt një manifestim që rrallë kund mund të shihet. Nxënësit tanë u paraqitën me një profesionalizëm të tillë që edhe “yjet” tona duhet t’ju kishin zili. Paraqitja e nxënësve në skenë ka qenë me të vërtet e bukur, tërheqëse dhe mbresëlënëse. Të gjitha paraqitjet e fëmijëve u pritën me duartrokitje dhe interesim të vërtetë.
Në ndonjë moment reagimet e publikut kanë qenë të tilla sa që mund të mendonim se gjendemi në ndonjë koncert të yjeve të estradës.

Së pari, si zakonisht, të gjithë nxënësit prezent në sallë kënduan himnin kombëtar. Pastaj u shfaq video filmi “Historia jonë” i përgatitur nga nxënësit e ciklit të lartë të shkollës shqipe në Lozanë, të ndihmuar nga mësimdhënësi i tyre. Vijoi kori ARTA me një potpuri këngësh të bukura por kësaj radhë të përcjell me harmonikë nga maestro Gjon Guralumi. Pastaj me këngë, valle e recitime vazhduan shkollat nga Rolle, Moudon dhe Morges.

Pika e baletit “Baresha” nga motrat Iseni dhe këngët me sharki nga Endriti, nxënës i ardhur enkas nga Franca, e shtuan larminë e programit.

Shkolla e fundit që u paraqit në skenë ishte ajo e Nionit. Ajo me vallet dhe veshjet e saja të bukura e përfundoi manifestimin e përbashkët. Në fund, ashtu si e do tradita, të gjithë nxënësit kënduan himnin e tyre “Shkolla Shqipe”. Kësaj radhe kjo këngë, e përcjellë nga maestro Gjon Guralumi, u këndua si kurrë ndonjë herë më parë. Mbarim më të mirë të manifestimit nuk është e mundur as të paramendohet. (Lapsh, Vaud).(albinfo)