Nxënësit e Mireshit thyejnë rekordin në Kolegjin turk “Mehmet Akif”

Gjilan – Për të dytën herë me radhë shkëlqejnë nxënësit e shkollës “Nazim Hikmet” nga Mireshi (ish Dobërçani). Ata të shtunën në kolegjin turk “Mehmet Akif”në Lipjan, ku edhe janë mbajtur garat finale në lëndën e kimisë – punë laboratorike – eksperimentale, pas testit me shkrim ku kishin marrë pjesë afër dy mijë nxënës nga mbarë Kosova, nxënësit nga Dobërçani kanë thyer rekordin e vitit të kaluar ku patën zënë vendin e parë dhe të tretë. Triumfuesit e këtij rezultati janë Elira Kryeziu, Shefqe Salihu, Edlira Miftari, Arbana Haliti dhe Leonard Kastrati.
Ndërsa, këtë vit nxënësit e kësaj shkolle kanë shënuar rezultate kulminante thotë Rexhep Arifi mësimdhënës. Kështu, Elira Kryeziu zuri vendin e parë, Shefqe Salihu – vendin e dytë, Edlira Miftari – vendin e tretë, Arbana Haliti – vendin e katërt, Leonard Kastrati – vendin e pestë.
Ky rezultat ka shtangur të gjithë pjesëmarrësit si dhe vetë udhëheqësit e kolegjit “Mehmet Akif”. “Falë punës së palodhshme të mësimdhënësit më të mirë për të dytën herë në Republikën e Kosovës, Ilir Kastrati, nxënësit e kësaj shkolle kanë arritur këto suksese shumë të merituara” tha Arifi për rajonipress.
Ilir Kastrati, ka filluar përgatitjet e nxënësve për gara që nga tetori i vitit 2013 dhe në vazhdimësi ka punuar gjatë dhe mbas orarit të punës, ku ka mbajtur mësim plotësues me këtë grup të nxënësve, ushtrime praktike, jo për ndonjë arsye të përfitimit material, por me punë vullnetare me plotë entuziazëm e dëshirë vetëm e vetëm që të arrihet ky rezultat në ditën e sotme shton Arifi.
Puna, vullneti dhe angazhimi i pakrahasueshëm i këtij mësimdhënësi është për çdo lëvdatë, prandaj shpresojmë se këto rezultate do të dijnë t’i vlerësojnë të gjithë, duke u nisur nga prindërit, nxënësit, arsimtarët (që të jetë shembull për ta), por edhe nga institucionet arsimore – Drejtoria Komunale e Arsimit, etj.
Këto gara dhe rezultate, janë një motivim tejet i rëndësishëm për të vazhduar zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në shkollën tonë.
Në fund, i urojmë të gjithë nxënësit e në veçanti arsimtarin Ilir Kastratin si dhe drejtorin e shkollës Fadil Shabani, i cili i’u ka krijuar kushte dhe hapësirë shumë të përshtatshme për punë këtyre finalistëve tha Rexhep Arifi./rajonipress/