Fundamenti

Nushit sërish s’i lejohet hyrja në Rusi

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Prishtinë – Kristian Nushi do të ketë kohë të mjaftueshme për të festuar festën e flamurit. Ai më 28 nëntor nuk do të jetë së bashku me skuadrën e tij St. Gallen që në Krasnodar të Rusisë do të përballet me ekipin Kuban në kuadër të fazës grupore të Ligës së Evropës. Nushit 31-vjeçar, nuk i është lëshuar vizë për hyrje në Rusi. Skuadra zvicerane St. Gallen, të martën, do të udhëtojë për në Rusi, por pa Nushin.

Kristian Nushi ka pasaportë të Kosovës të cilën nuk e njeh Rusia. Ky vend nuk njeh as shtetin e Kosovës dhe për këtë arsye Nushit nuk i është lejuar hyrja në Rusi. Të gjithë futbollistët e St. Gallenit dy javë më parë janë pajisur me viza për hyrje në Rusi, në përjashtim të mesfushorit kosovar. Ai ka provuar që para kësaj ndeshjeje të pajiset me pasaportë të Shqipërisë apo Zvicrës që të fitojë të drejtën e udhëtimit për Rusi, por asnjëra pasaportë nuk i është bërë me kohë.

“Është definitive që nuk do të mund të udhëtojë me skuadrën në Rusi. Pasaporta e Shqipërisë më kanë thënë se bëhet për 3-4 javë, por u bënë dy muaj e gjysmë dhe nuk ka ende asgjë. Për pasaportë të Zvicrës e kam ditur se nuk bëhet me kohë pasi procedura është më e gjatë. Pra, do të humb edhe këtë ndeshje”, ka thënë Nushi të premten për gazetën.

“Klubi i ka shkruar FIFA-s e UEFA-s që të gjejë një zgjedhje, por nuk ka pasur asnjë zhvillim pozitiv. Klubi ka marrë përgjigje se nuk mund të bëhet asgjë, pasi futbolli kosovar nuk është pjesë e këtyre dy organizatave. Ekipi udhëton të martën, të gjithë lojtarët janë pajisur me viza, ndërsa unë jo”, ka shtuar mesfushori me përvojë.

Fundamenti

Sipas tij, në klub nuk po arrijnë të kuptojnë se si në vitin 2013 një lojtari mund të mos i lëshohet viza për ndeshje të garave evropiane.

“Kjo është shumë e rëndë, katastrofë. Është skandal i madh që të mos lëshohet viza duke ditur që qëllimi i udhëtimit ishte zhvillimi i ndeshjes”.

Nushi edhe në fund të gushtit nuk u lejua të udhëtonte në Rusi, ku skuadra e tij u përball me Spartakun e Moskës në kuadër të raundit të plejofit të Ligës së Evropës. Rasti i Nushit bëri bujë në Zvicër, por gjërat nuk ndryshuan. Reagoi edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, por pa ndonjë rezultat.

St. Galleni bënë pjesë në Grupin A të Ligës së Evropës. Pas katër ndeshjeve mban pozitën e tretë me tri pikë. Kubani është i fundit (4) me dy pikë. Prin Valencia me nëntë e përcjellë nga Swansea me tetë pikë. Në Superligën e Zvicrës, St. Galleni mban pozitën e katërt./koha/