Nushi: Nuk do të lejojmë që shteti i Kosovës të prezantohet nga matrapazët dhe mercenarët

Gjilan – Dega e PSD-së në Gjilan të dielën ka hapur fushatën zgjedhore duke prezantuar kandidatët e saj derisa Majlinda Nushi kryetare e këtij subjekti politik tha se nuk do të lejoj që shteti i Kosovës tash e tutje të paraqitet nga matrapazët dhe mercenarët politikë. Ismet Hajdini kryetar i PSD-së në Gjilan tha se do të jenë avokat i të drejtave të qytetarëve.
Dega e PSD-së të dielën ka hapur fushatën zgjedhore duke bërë prezantimin e kandidatëve të saj për asamblenë komunale. Në këtë tubim merrte pjesë edhe Majlinda Nushi dhe aktivistë të tjerë nga niveli qendror, raporton rajonipress.
Ismet Hajdini kryetar i PSD-së në Gjilan dhe bartës i listës tha se PSD po rritet çdo ditë dhe po përkrahet koncepti i saj në Gjilan.”Lista e kandidatëve dhe puna e jonë e mirë që kemi pasur në menaxhim dhe në qeverisje na japin shpresën se do ta dyfishojmë numrin e anëtarëve. Por edhe nëse mbesim në opozitë ne ju sigurojmë se do të jemi avokatë të të drejtave të qytetarëve gjilanas”.
Hajdini tha se shpresojnë që këtë vit mos të ketë manipulim të procesit zgjedhor.
Edhe Majlinda Nushi kryetare e PSD-së tha se Gjilani ka treguar vlera të larta kombëtare dhe ka dhënë kontribut të madh në shtetëndërtimin e Kosovë.”Ju sigurojë se kandidatët tanë do të jenë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe tani e tutje nuk do të pranojmë që shtetin e Kosovë në botë ta prezantojnë – përfaqësojnë matrapazët dhe mercenartë politikë. Kosovës i duhen njerëz të dëshmuar dhe me kod moral dhe duam një Kosovë me dinjitet” tha Nushi. /rajonipress/