Fundamenti

Nuk udhëtoj në Evropë nëse nuk hiqen vizat!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se shtyrja e liberalizimit të vizave për vendin do të sjellë edhe të tjera probleme dhe vështirësi, duke përfshirë këtu edhe dialogun e Prishtinës me Beogradin. Madje, ai ka paralajmëruar se nëse nuk u lejohet kosovarëve të lëvizin të lirë në shtetet e Shengenit, atëherë as ai dhe as kabineti i tij nuk mund të udhëtojnë, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të udhëtojë as për në Bruksel, ku edhe zhvillohen takimet e dy qeverive, të Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa në një intervistë për “Kosovapress”-in ka thënë se pesëmbëdhjetëditshi i parë i janarit do të sjellë rezultate konkrete nga grupet teknike që po merren me përmbushjen e kritereve të paplotësuara në 8 pikat e mbetura, që i hapin rrugë Kosovës për liberalizim të vizave.

“Me këtë sjellje të Bashkimit Evropian, ne do ta kemi të vështirë edhe në dialog sepse unë nuk kam çfarë t’u them qytetarëve të mi nesër që unë po shkoj në dialog, ju jeni të izoluar në Kosovë dhe unë po dal të shëtisë në Bruksel ose Evropë. Në qoftë se kosovarët nuk meritojnë, nuk do të duhej ta meritoj as unë si kryeministër dhe as përgjegjësit tjerë të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Ai shtoi se është punuar me një përkushtim shumë të madh në plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave, prej 95 kritereve vetëm 8 kanë mbetur pa u përmbushur plotësisht dhe për to tashmë janë bërë analizat dhe grupet teknike kanë afatet për përmbushje të këtyre kritereve.

“Janë dhënë rekomandimet që edhe ato të plotësohen, ne kemi punuar nga shtatori deri më tani në përmbushjen e tyre, kemi konstatuar që i kemi përmbushur të gjitha. Kemi bërë edhe një analizë, i kemi lënë një afat grupit teknik që ata të bëjnë analizën e plotë të të gjitha pikave e nënpikave që ne i kemi, lidhur me këto tetë rekomandime. Ne jemi të bindur që çdo gjë do të jetë përmbyllur edhe në pikëpamje të raportit të informimit ndaj Bashkimit Evropian, në pesëmbëdhjetëditshin e parë të janarit”, pohoi Mustafa.

KKGJILAN

Megjithatë, kryeministri i vendit mendon se Kosovës i janë vënë standarde të dyfishta nga BE-ja në kërkesën për liberalizim të vizave për kosovarët dhe kjo, sipas tij, është e padrejtë. Ai thotë se Kosovës nuk duhet t’i bëhet kjo e padrejtë, duke i lënë gati dy milionë qytetarë të izoluar dhe në jetë ndryshe nga i gjithë Ballkani dhe më gjerë.

Se a është ky vendim i drejtë apo jo i BE-së, sipas kryeministrit Mustafa kjo është çështje tjetër, për të cilën ai nuk preferon ta diskutojë më shumë, duke kujtuar se lëshime të mëdha ka bërë BE-ja në shtetet tjera, ndërsa me Kosovën kjo nuk po ndodh.

“A është ky vendim i drejtë apo jo i BE-së kjo është çështje tjetër, sepse në kushte të tilla asnjë shteti nuk i është vënë. Sllovenia dhe Kroacia edhe sot kanë probleme të demarkacionit mes vete, por ato dy vende janë anëtare të Bashkimit Evropian. Maqedonia ka probleme me Greqinë dhe nuk e bën këtë problem askush siç na bën neve, por është çështje tjetër”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Kryeministri Mustafa tha se liberalizimi i vizave për kosovarët do të jetë shans i mirë për të gjithë qytetarët, të cilët do ta shfrytëzojnë lëvizjen e lirë për t’u arsimuar, për të parë Evropën dhe për të mësuar nga, siç tha ai, demokracia dhe ekonomia evropiane. Mustafa lëvizjen e lirë e sheh edhe si mundësi të mirë për bizneset, të cilëve u mundëson ta shfrytëzojnë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin, për bashkëpunimin ekonomik dhe për pjesëmarrje në tregjet e jashtme, në panaire edhe në kontakte të përgjithshme me bizneset jashtë vendit./zeri/