RCCOLA

Nuk na fyeu Vuçiqi, por këta tanët

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Aleksandër Vuçiq dërgoi mesazhe të qarta se Serbia nuk ka ndryshuar karshi Kosovës dhe shqiptarëve. Ai gjatë vizitës në veri nuk solli mesazhe pajtimi e paqeje, por provokoi e fyeu. Madje, lartësoi edhe Sllobodan Millosheviqin. Gjithçka bëri me lejen e autoriteteve kosovare. Nuk na fyu ai, por këta tanët. Këta që me Serbinë, madje, po pretendojnë të bëjnë edhe pazare me territorin e vendit.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq zgjodhi digën e Liqenit të Gazivodës në veri të vendit për të treguar se cili ishte qëllimi i vizitës së tij në Kosovë, si dhe për të bërë të qartë se çfarë synon Serbia në fazën finale të dialogut. Pavarësisht se përmendi paqen e pajtimin, ai dërgoi mesazh të qartë se Serbia po kërkonte bashkëvendimmarrje për statusin e Kosovës, një çështje kjo për të cilën udhëheqësit shtetërorë të Kosovës thoshin se është mbyllur qysh më 2008. Po ashtu, Vuçiq përsëriti se shteti që ai udhëheq nuk do ta njohë pavarësinë e shtetit që po e vizitonte, ndërkaq glorifikoi ish-shefin e tij, Sllobodan Millosheviq, i cili shkaktoi qindra-mijëra viktima dhe shumë vuajtje në Ballkan.

Presidenti i Serbisë realizoi vizitën me lejen e autoriteteve kosovare por, në vend që të ishte në shërbim të pajtimit ndërmjet dy popujve, ardhja e tij ishte një provokim, ishte një fyerje. Por, jo me fajin e tij.

Autoritetet kosovare u treguan plotësisht joserioze në lojën e ndalimit dhe më pas lejimin që ai ta vizitojë Gazivodën, si dhe në lojën e lejimit dhe më pas ndalimit që ai ta vizitojë fshatin Banjë të Skënderajt. Në Gazivodë, e më pas në tubimin në Mitrovicën e Veriut, Vuçiq nuk tha asgjë të re, aq më pak historike, por vetëm përsëriti ato që i ka thënë edhe më herët, ndonëse kishte paralajmëruar se do të fliste gjëra shumë të rëndësishme. Me diskursin dhe narracionin e tij, ai e bëri të qartë se Serbia nuk ka ndërruar qëndrim karshi Kosovës, përkundrazi, e konsideron atë ende pjesë të sajën dhe do të vazhdojë betejën që ta pengojë sa më shumë në shtetndërtim.

Me lejen e Prishtinës, ai foli në Gazivodë e Mitrovicë të Veriut si të jetë në Serbi. Me lejen e Prishtinës, ai glorifikoi Millosheviqin si lider të madh, ndërkohë që njëzet vjet pas luftës ende shërohen plagët e çmendurisë së tij. Me lejen e Prishtinës, ai provokoi e fyeu, pa drojën e ndëshkimit nga askush. Madje, me lejen e Prishtinës, ai ia mësyu edhe Banjës së Skënderajt, por u ndesh në rezistencën e banorëve lokalë, të cilët kundërshtuan që ai të shkel në Drenicë.

* * *

Nuk ka provokim më të madh se që në Kosovë dhe, veçanërisht në Drenicë, të shkel presidenti i një vendi që nuk e njeh shtet të pavarur. Nuk ka provokim më të madh se t’i lejohet vizita një personi, i cili ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit dhe është bashkëpërgjegjës për tmerret që kanë pëjetuar shqiptarët e Kosovës. Për më tepër, ai ende nuk ka kërkuar falje për krimet që kanë ndodhur këtu dhe vazhdon ta luftojë me të gjitha mjetet qenien e shtetit të pavarur të Kosovës.

Uji Dea

Vuçiq erdhi në Kosovë me pajtimin e autoriteteve shtetërore të vendit. Pa analizuar fare ato çfarë ai tha, provokim është vetë vizita e tij.

Ai do të mund të vinte pa problem në Kosovë po që se paraprakisht do të kërkonte falje, në emër të popullit serb e Serbisë për krimet dhe tmerret e shkaktuara shqiptarëve, po që se nuk do ta pengonte rrugëtimin e shtetit të ri drejt konsolidimit, po që se do t’iu bënte thirrje serbëve lokalë ta njohin Kosovën si shtet të vetin.

Madje, nuk do të kishte kurrfarë problemi që ai të shkonte edhe në Drenicë, por praprakisht do të duhej të përkulej para varreve të viktimave në Prekaz, Izbicë, Abri e Poklek. Paraprakisht do të duhej të shprehte keqardhje për jetët e humbura nga regjimi, pjesë e të cilit ishte vetë ai.

Por, Vuçiq nuk e bëri asnjërin nga këto veprime. Përkundrazi, me diskursin e tij ai vetëm sa thelloi hendekun e pajtimit ndërmjet dy popujve e dy shteteve. Me diskursin e tij, ai dërgoi mesazh të qartë se Serbia nuk ka ndryshuar karshi Kosovës dhe shqiptarëve.

* * *

Me qasjen karshi kësaj vizite, autoritetet kosovare i fyen qytetarët e vendit. Do të duhej të ekzistonin rregulla të qarta dhe kufizime – së pari nëse një president i Serbisë mund të vijë fare në Kosovë me këtë qasje dhe të tilla mesazhe dhe më pas, edhe për vizitën eventuale të tij. Nuk shkon që, në njërën anë të flasësh për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, e në anën tjetër ta lejosh Vuçiqin të kalërojë nëpër Kosovë si të jetë në Serbi. Kjo mund të jetë vetëm qasje e njerëzve të nënshtruar e të shantazhuar të cilët thonë se po e largojnë nga Kosova, por në të vërtetë Serbinë po e bëjnë pjesë të qeverisjes e vendimmarrjes në Kosovë.