Nuk janë statistikë 20,400 gra e vajza të dhunuara gjatë luftës, por gjenocid
Në çdo përvjetor të paqes, kur njerëzit i gëzohen lirisë dhe rikujtohen përpjekjet për çlirim, pashmangshëm na del përpara sakrifica njerëzore.Lëvizja Vetëvendosje thotë se çmimi i lartë i lirisë së Kosovës, pati dy lloj figura të sakrificës, ushtarë të luftës çlirimtare dhe viktima civile. Përgjatë 16 viteve u angazhuam që t’i vendosim dëshmorët në lartësinë e duhur.
“Mirëpo, nuk është bërë as përpjekja më e vogël për të shfaqur dimensionin e plotë njerëzor të luftës atë të vuajtjeve e sakrificës së viktimave civile me qëllim të dokumentimit të krimeve të Serbisë dhe kërkimit të drejtësisë. Të gjitha dëmet u kategorizuan në ato materiale dhe njerëzore të cilat më pastaj u reduktuan në statistika në mesin e tyre edhe 20.400 gra të dhunuara”, shprehet Vetëvendosje.
“Gruaja përveç të tjerash është mishërimi i gjallimit të territorit social të kombit. Sulmi i qëllimshëm e sistematik mbi gratë dhe vajzat gjatë luftës është gjenocid. Deri më tani, institucioneve të Kosovës nuk i ka shkuar ndërmend të mbledhin dëshmi dhe të ngrenë akuza për gjenocid. Përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale u përdorën gjatë luftës në Kosovë si armë lufte apo instrument i një spastrimi etnik sistematik”, shkruan Vetëvendosje.
Kjo parti thotë se përdhunimet nuk ishin akte të rralla e të izoluara të kryera nga individë të forcave serbe e jugosllave, por u përdorën qëllimisht si një instrument për të terrorizuar popullsinë civile, për të zhvatur para nga familjet, dhe për të detyruar njerëzit të braktisnin shtëpitë e tyre.
“Çdo lloj dhune seksuale është vrasje fizike dhe shpirtërore e llojit të vet dhe nga çdo rrëfim i të dhunuarave, të dalin para syve skena të tmerrshme, që kanë përjetuar viktimat në trupin e tyre. Rrëfimet e femrave të dhunuara në Kosovë fillojnë njësoj: ‘Me dhunuan forcat serbe…’. Dallojnë vetëm vendet: ‘Në shtëpi, në rrugë, në mal, në ndërtesë, në objekt shkollor…’. Dallojnë numrat:’1, 2, 3, 4, 5, 10-të…..’! Apo, kohëzgjatja: ‘Një ditë, një javë, një muaj, dy…!’”, shkruan LVV.
Sipas LVV-së, mijëra viktimave të këtij krimi të shëmtuar më pas u vranë, ndërsa mijëra të tjera që mbetën gjallë vuajnë të heshtura dhimbjen, ndërsa shumë prej tyre pas luftës humbën bashkëshortët, fëmijët, u përjashtuan nga shoqëria dhe sot vuajnë traumat shpirtërore.
“Pas një dekade e më shumë, trajtimi i dhunës seksuale si krim i luftës më në fund ka gjetur mbështetjen institucionale, pasi që në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile të Luftës dhe Familjarëve të tyre, si kategori e veçantë e viktimave iu njoh edhe statusi i tyre si persona të dhunuar”.
Po bëhet një vit që kur ligji për këtë kategori ka hyre në fuqi, por obligimet e nxjerra nga ky ligj ende nuk gjejnë zbatueshmëri si pasojë e neglizhencës dhe vonesave nga ana e institucioneve të Kosovës, kujton LVV.
“Zyrtarë qeveritarë disa ditë më parë dhanë një arsyetim absurd për moskryerjen e obligimeve të dala nga ligji. Mosinteresimin e tyre për trajtimin e kësaj kategorie të dalë nga lufta e mbuluan duke u thirrur në atë që kjo çështje është e ndjeshme dhe e vështirë. Këto deklarata përveç që janë të papërgjegjshme, janë të pamoralshme, po ashtu edhe e kundërligjshme. Vetë deklarimi i Qeverisë e vështirëson procesin duke i dekurajuar viktimat e abuzimit seksual dhe dhunimeve që të paraqiten në Komision, kurdo që ai të themelohet”.


