Hidromorava

Nuk janë kërkah

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Situata me pandeminë ka dalë jashtë kontrollit, e qeveria sillet si të jetë një OJQ. Telekomi, kompani që e kanë rrjepur tash dy dekada, është katandisur si mos më keq, e zbatimi i pakos për rimëkëmbjen ekonomike ende nuk ka nisur. Thjesht, nuk janë kërkah.

Situata me pandeminë ka dalë jashtë konrollit dhe masat e ndërmarra nga qeveria nuk po japin rezultat. Shifra mbi dyqind të infektuar në ditë është kthyer në zakonshmëri dhe qeveria po tregohet e paaftë ta menaxhojë si duhet situatën. Ndërkohë, një pjesë e qytetarëve më shumë i besojnë një këngëtari, që thotë se virusi nuk ekziston, sesa mjekëve specialistë, të cilët po bëjnë të pamundurën që të shpëtojnë jetë.

Kryeministri Hoti, ndërkaq, fajëson policinë e inspektorët se nuk po e kryejnë punën si duhet dhe ankohet se në spitale për pak ditë mund të mos ketë vende të mjaftueshme për të gjithë të infektuarit. Hoti më tepër tingëllon si përfaqësues i ndonjë OJQ’je, sesa si udhëheqës që ka për detyrë të qeveris. Ashtu tingëllon edhe kur flet për pakon e rimëkëmbjes ekonomike – 400 milionë për këtë vit e 1.2 miliard për vitin tjetër, ndërkohë që punëtorët ende nuk e kanë marrë ndihmën prej 170 eurosh.

Deputetët, të cilët do të duhej ta miratonin rregullativën ligjore për të bërë të mundur zbatimin në praktikë të masave, më tepër merren me kritika e akuza të ndërsjella, sesa me punën për të cilën paguhen. Inatet ndërpartiake vazhdojnë, e gjendja rëndohet.

Si të mos mjaftonin një mal problemesh, çështja e Telekomit po del të jetë ndër më kryesoret me të cilën duhet përballur qeveria. Kompania publike, e cila vite me radhë është keqmenaxhuar e shfrytëzuar nga politika, tash është në prag të falimentimit. Punëtorët kanë mbetur pa paga, ndërkohë që kërkohet që pagat për ta të sigurohen nga buxheti i vendit. Pra, kompania publike dikur më fitimprurësja, nga e cila kanë përfituar më të madhe politikanë e familjarë të tyre, militantë e anëtarë partish, ka ardhur në situatë fatkeqe shkaku i keqmenaxhimit.

A është normale që nga buxheti edhe ashtu i varfër i vendit të sigurohen pagat e larta për mesataren e Kosovës për më shumë se dy mijë punëtorë, ndërkohë që mijëra qytetarë të tjerë jetojnë në kushte të vështira? A është normale që kompania të falimentojë shkaku i keqmenaxhimit dhe askush të mos jep përgjegjësi?

Ministri i Zhvillimit Ekonomik po thotë se përgjegjës për gjendjen në Telekom janë të gjithë, por e vërteta është se përgjegjës janë menaxhmentet e kompanisë, të vendosura aty me përkrahje partiake, duke e shndërruar Telekomin në burim përfitimesh për politikanë dhe të afërm me politikën. Përgjegjës janë të gjithë ata që kanë lejuar që kompania të katandiset si mos më keq, të shkatërrohet e degradohet.

RCCOLA

* * *

Koaliconi i kaluar qeverisës u rrëzua me arsyetimin se pandemia nuk po menaxhohej mirë dhe se ishte bllokuar dialogu. Kriza politike ndodhi në pandemi dhe deputetët që rrëzuan koalicionin qeveritar më të rëndësishëm e patën fatin e vet politik, sesa shëndetin e qytetarëve.

Nëse qeveria e kaluar nuk e paska menaxhuar mirë situatën me pandeminë, atëherë qeveria aktuale ka dështuar plotësisht. Nëse qeveria e kaluar e paska bllokuar dialogun, atëherë kjo aktuale po e vazhdon një dialog pa qëllim as parime, për të cilin nuk ka koncensus të brendshëm e as platformë. Arsyetimet pse ishte rrëzuar qeveria e kaluar tashmë nuk qëndrojnë, sepse tashmë është e kuptueshme se qëllimi ka qenë krejt tjetër.

Nëse zbatimi i masave të qeverisë karshi qytetarëve nuk po u menaxhuaka si duhet nga policia, duhet kujtuar se ministri i Brendshëm i takon LDK’së. Është pikërisht ai, për të cilin u tha se u bë shkas për prishjen e koalicionit. Nëse problemi paska qenë tek dialogu, atëherë qeveria i ka bartur kompetencat për negociim me Serbinë te një person, që po ashtu i takon LDK’së.

Është absurde tendenca për të fajësuar të tjerët për dështimet, ndërkohë që vetë ke rrahur gjoks se je i duhuri për të çuar përpara të gjitha proceset. Është absurde të hedhësh përgjegjësinë tek të tjerët, ndërkohë që i ke të gjitha kompetencat për të vepruar. Tjetër gjë është nëse mungojnë dija e guximi.

Në gjithë këtë katrahurë politike e pandemike, zor se dikujt i bjen ndërmend për kulturë. Por, një lajm i keq i javës që shkoi është mbyllja e hapësirës artistike në të cilën tash një dekadë ka funksionuar Qendra Multimedia. Një hapësirë dedikuar kulturës, në shkretëtirën kulturore të Prishtinës. Komuna e as ministria përkatëse nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë një hapësirë tjetër, ndërkohë që i pari i kryeqytetit të krijon përshtypjen se është farë menaxheri i rrjeteve sociale, e jo kryetar që tash e gati shtatë vjet qeverisjeje, nuk ia ka dalë të realizojë projektet kapitale të cilat i ka premtuar. Thjesht, nuk është kërkah.