Nuk i pranojmë politikat e VV-së
Koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, kanë mbajtur sot takimin e tyre të radhës, këtë herë në restorantin Mansion, në Hajvali.
Në këtë takim është biseduar për hapat që do të ndërmarrë katërshja e koalicionit në seancën konstituive të së enjtes.
Ramush Haradinaj, ka deklaruar pas takimit, se ende nuk janë takuar me Listën “Srpska” pas lëkundjeve të fundit që ka bërë kjo e fundit në lidhje me atë se a do ta mbështesë apo jo koalicionin LDK-AAK-Nisma tash pasi që pjesë e tij është edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk kemi pasur rast të takohemi sot, por besoj që edhe Lista Serbe, sikurse edhe komunitetet tjera e kanë mundësinë të marrin pjesë në institucioneve ashtu siç e parasheh kushtetuta, kuptohet angazhimi ynë në mes koalicionit tonë LAN-VV është në të mirë të gjithë qytetarëve dhe po punojmë në dobi të qytetarëve të vendit”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Listës “Srpska”, ndonëse thonë se partneriteti i tyre me Koalicionin LDK-AAK-Nisma dhe VV, nuk është krejtësisht i pamundur, ata theksojnë se nuk mund ta pranojnë qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje karshi dialogut Kosovë-Serbi, si dhe çështjen e revidimit të marrëveshjes me Brukselin.
Lista “Srpska” e cila ka bërë të ditur se do ta bëjë përfundimisht të qartë qëndrimin e vet ditën e mërkurë, një ditë para seancës, ku edhe do t’i paraqesin kërkesat definitive sa u përket rrjedhave të marrëveshjeve me Brukselin, ka theksuar se nuk mund ta pranojnë zbritjen e nivelit të bisedimeve vetëm me serbët e Kosovës.
Përfaqësuesi i këtij grupi parlamentar të përbërë prej nëntë deputetëve, Alexandar Jabllanoviç, ka theksuar se për ta dhe për Beogradin zyrtar është e papranueshme kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje që bisedimet të zhvillohen vetëm me serbët e Kosovës.
“Për popullin serb dhe për Beogradin zyrtar, i cili është një nga garantuesit e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit në vetë terrenin e Kosovës, nuk është e pranueshme që pas marrëveshjeve të arritura, të bëhet revidimi i tyre, e aq më pak ulja e nivelit të bisedimeve”, ka thënë Jabllanoviç.
Jabllanoviç është zotuar se për këto çështje do të kërkojnë sqarime nga Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.
“Lista ‘Srpska’ nuk është palë që bisedon me Vetëvendosjen. Do të kërkojmë sqarim nga Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj” ka thënë Jabllanoviç.
Në anën tjetër, Albin Kurti, edhe pse pjesë aktive e situatës me Listën “Srpska” pas takimit të sotëm nuk është prononcuar fare për këtë çështje. Ai e ka komentuar seancën që do të mbahet të enjten, duke thënë se në atë seancë do t’i japin fund pushtetit të PDK’së.
“Pra, gjatë këtyre tre muajve të fundit e kemi parë se PDK-ja nuk është në gjendje që t’i konstituoj organet e Kosovës, prandaj PDK’ja e ka vendin në opozitë dhe shteti i kapur duhet një herë e përgjithmonë të çlirohet nga pushteti dhe t’i hapet rrugë republikës, drejtësisë, barazisë, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies”, ka thënë ai.


