Nuk e shkarkojnë rektorin

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe partnerët tjerë nga koalicioni qeveritar vazhdojnë të mbrojnë rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, i cili ka botuar punimet në një revistë fiktive shkencore në Indi.
Për herë të dytë, të premten deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në bashkëpunim me deputetët e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe Lëvizja “Vetëvendosje” (VV) nuk ia dolën që në seancën parlamentare të vënë në votim rekomandimet për të nxjerrë nga gjendja e rëndë UP-në.
Përmes këtyre rekomandimeve kërkohet të jepet përgjegjësi nga krerët e Universitetit, si dhe të hapet rruga për ndryshimin e gjendjes në universitetin e themeluar nga Kuvendi i Kosovës 43 vjet më parë. Por, bojkotimi i seancës nga deputetët e PDK-së dhe koalicionit qeveritar ka penguar që rekomandimet e LDK-së të harmonizuara me dy partitë tjera opozitare të votohen duke rezultuar me ndërprerjen e seancës.
Rekomandimet, ku parashihet si masë edhe shkarkimi i rektorit Gashi bashkë me Këshillin drejtues, do të jenë pikë e rendit të ditës në seancat e radhës. Debati për Universitetin ka shtyrë edhe PDK-në të nxjerrë rekomandime, por që në krahasim me ato të prezantuara nga Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, kanë qenë tejet të “buta” për marrjen e masave në UP. Beqiri ka kërkuar nga pozita që të pajtohen me pikën e parë të rekomandimeve-dorëheqjen e rektorit Gashi.
Në të kundërtën, ai e ka quajtur të pamundur inkorporimin e rekomandimeve të opozitës me ato të pozitës në qoftë se mungon dorëheqja e Gashit.
Beqiri ua ka kujtuar deputetëve të PDK-së se këto rekomandime nuk janë të punuara në shtëpi, por të dala si rezultat i debatit i mbajtur të enjten, duke kërkuar që të votohen dhe duke mos pranuar të hiqet si pikë e rekomandimeve dorëheqja e Gashit.
“Është e qartë që PDK-ja nuk pajtohet për rekomandimin e parë (dorëheqjen e rektorit). Prandaj, me shkrim do t’ua dorëzoj nëse nuk ka kuorum sot për t’i votuar”.
Në emër të PDK-së deputeti, Ramë Vataj, ka theksuar se pika e parë e rekomandimeve është e papranueshme, pasi që, sipas tij, cenon lirinë akademike që mbrohet me ligj.
Vataj ka thënë se deri tek dorëheqja morale vjen me ekzaminimin e fakteve. Ai e ka akuzuar opozitën se me rekomandimet e nxjerra do t’ia marrë kompetencat Senatit.
Vataj ka dalë po ashtu me rekomandime për të nxjerrë nga kjo gjendje UP-në, por në asnjë rekomandim nuk është përmendur dorëheqja apo shkarkimi i Gashit.
Deputetja Suzana Novobërdaliu nga radhët e AKR-së ka kërkuar që rekomandimet të dorëzohen në formë të shkruar dhe t’i ketë secili deputet, që pastaj në seancën e radhës të qiten në votim. Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, në mungesë të kuorumit ka kërkuar që rekomandimet t’i dërgohen zyrës për parashtresa dhe t’iu shpërndahen deputetëve për seancën e radhës.
“Në sallë ndodhen 59 deputetë. Pikat e radhës janë ligje.Qeveria mungon…”, ka thënë ai, duke iu referuar edhe mosprezencës së asnjë ministri të kabinetit qeveritar në seancë. Në këtë mbledhje parlamentare deputetët përkrahën zgjedhjen e Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Deputetët, po ashtu kanë përkrahur edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare./zeri/