KKGJILAN

Nuk e dëmtojnë imazhin politik protestat

/ 8 minuta lexim

Nga Shefik Shkodra- Se kush ka të drejtë e kush jo, nuk mund të them, sepse, këtë ka kush duhet ta thotë. Një herë pasqyrimi për palë(n)t në këtë “ndeshje”, jo aq sportive. Ndoshta, nuk do të duhej të merrem me këtë çështje fare për shumë shkaqe.

Po, për një të vetme arsye dua ta bëj një uverturë, për ta hapë derën, e cila është e hapur për të gjithë. Dalin pamje të përgazeta para botës, e janë dhimbjet tona, këtu është esenca, desha të them. Kur e sheh një foto trishtuese e shumë të urrejtur të dikurshme, të rishfaqur tash më ndryshe.

Dhe kjo, jo pse demonstrohet, as pse mbrohet prej asaj demonstrate, veç si një farë “domosdoje”, një farë inskenimi, duke vu një vi për ‘duel’ si mallkim permanent. Për të shtuar urrejtje më tepër brenda për brenda. E bëj, këtu, një pyetje të gjatë e të pashkëputshme e të pakryer, madje për të gjithë. Mirë, a të ka shkuar mendja dikur kusho, se, do të vijë një kohë shumë e shpejtë dhe ata që i shkollon, i ushqen vetë, që flasin shqip dhe shqip të shkelin në qafë?

Tamam si dikur kur e përjetoje vetë nga ai regjimi i huaj. Natyrisht, tash edhe marrin urdhër shqip. Që të mos flasim tash se, policia është për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Për ruajtjen e institucioneve të vendit, në rast rreziku prej kujtdo qoftë, etj.

Kusho! Këto pamje nuk do të ishte mirë të shiheshin as në margjina shoqërore edhe te vendet tjera. Këto, të duket se ndjellin kob. Të gjitha mjetet ishin të përdorshme në këtë demonstratë, si në ato të hershmet të atij regjimit të sllobit. Po, për fat të mirë që nuk pat edhe viktima.

Kjo ka mund të ndodhë. Ne mirë që e kemi policinë dhe më tutje duhet ta avancojmë, por që ta përdorim saktë për kokën tonë …Dallimi prej atij teatrit të dikurshëm është se, sot si djali (si biri yt) të shkelë në qafë, hiç pa mëshirë. T’i thyen gjymtyrët. S’ka aman! Këto pamje e prishin ‘lezetin’ e këtij vendi.

Me të tilla skena ia thyejmë qafën vetvetes më shumë se kujtdo tjetër. Dhe këto dramatizime mund t’i pres dikush tjetër, që, ky popull ta humb toruan. Natyrisht, pasi ta kemi humbur mendjen edhe si udhëheqës. Urrejtja urrejtjen nuk e mund. Të gjithë kokëfortë e gjaknxehtë! S’domë me të mirë! Si shkurt i biem e pa dhimbje në këto raste, por ka edhe punë tjera…

Ndoshta, nuk mund t’i braktisim lehtë ato pamje me ato vegla që na kanë mbuluar gjithmonë. Me gjasë edhe ata që ushtronin teknikisht rolin e policit, jo shumë kohë e kanë përjetuar ndoshta në shpinën e vet një veprim të tillë, kur rrugëve të qytetit u vinte era squrfull, nga ai tymi i përzier me mjegullën e mëngjeseve të hershme ende të padavaritur. Krejt në të lagët e ftoftë. Herë vjeshtë herë pranverë. Ndoshta, njeriu ka ndjeshmëri për ta ripërtërirë të kaluarën edhe me ato pamje të keqe. Ndoshta ndiejmë krenari, kur mund të komandojmë dikë për ta ndalë kundërshtarin, apo “kundërshtarin”?!

Themi kështu, sepse, ka mundësi edhe ndryshe, pa i atakuar këto forca. Mundësia është atëherë, kur nuk do të nënçmonim njërin-tjetrin, edhe kur është për injorim. Kjo s’është krenari në asnjë kohë prej askujt. Asnjëra e as tjetra palë nuk sjellin kurrfarë imazhi kulture, sidomos për këtë vend në këto kohë.

Barazia dhe respekti për të gjithë

Respektimi i Kushtetutës është e domosdoshme për të gjithë qytetarët, institucionet dhe formacionet tjera të organizuara, pra, këtu bëjnë pjesë edhe partitë politike. Pozita ka të drejtën e vet për ta mbajtur pushtetin ashtu si mundet dhe si di, në momente të caktuara edhe duke gjetur zbrazësi nga kushtetuta. Po, opozita është e gatshme të gjej elementet kundërshtuese, gjithnjë me argumente.

Në të njëjtën kohë propozimet e veta që do të ishin më të mirat. Çdo njëra prej partive duhet të përpiqet për t’u profilizuar sipas atij programit të aprovuar. Të mos hedhin formalisht pëllumba në ajër. Mos barazia dhe respekti i ndërsjellë, praktikisht, është thënë se, është interesi partiak dhe grupor që, do të duhej të reduktohet nga pak te secila parti, kur është në pyetje një çështje e përgjithshme.

Mobi Casa

Ka të meta, kush më shumë e kush më pak. Në këtë drejtim, inspektorët më të mirë janë vetë qytetarët. Është parë kaherë se nuk ka ndonjë reformim te asnjëra. Kusho!

Nuk humbet imazhi politik pas protestave

V/Vendosja është një grup politik (ata e quajnë veten lëvizje) që janë të pranishëm edhe në Parlament. Po, janë gati të vetmit në opozitë. Më mirë të themi, ata janë të vetmit opozitarë, dhe kjo nuk është punë e keqe, pse ata po i thonë gjërat krejt drejt. Ndoshta, këta janë me më pak “mëkate”. Jo sikur ata të tjerët që po fshihen pas derës, vetëm kur t’u del diçka kundrejt interesit të tyre, flakë qesin.

Pra, nuk është mirë që të merren nëpër këmbë, por të përkrahen e të përafrohen edhe këta të v/v. Ata e ndiejnë veten pak si më të llastuar. Dhe kjo kryeneçësi e tyre nuk duhet të hidhet poshtë. Edhe veprimi i tyre në sytë e botës nuk do të ishte punë e keqe.

S’ka rëndësi që nuk do të duhej të jetë ky vend i qeverisur sipas kursit të tyre automatikisht. Por, le të dihet edhe para syve të tjerëve, se po reagohet e po kërkohet nga dikush diçka më ndryshe ose, nuk po pajtohet dikush apriori sikur ndodh për disa çështje të thjeshta. Dhe ky mospajtim nuk ia humbë pamjen politikës së këtij vendi.

Dhe kjo kundërshti e bën me dije edhe mikun edhe armikun se, nuk është krejt lehtë që të “përbirohet” peri në gjilpërë për një çështje kombëtare. Dhe kjo është punë opozite. Unë e kuptoj edhe inatin, sepse këtij populli i takoj. Por, ndoshta edhe të tjerat parti do të duhej të sakrifikojnë për një mirëvajtje të një pune. Hiqet inati, kusho! S’kemi të bëjmë për dy-tri metra arë, po për një vendim të këtyre kufijve real.

Duhet pas parasysh edhe investuesit e politikës nga jashtë

Këta njerëz (VV), shumica të rinj, janë të informuar dhe mjaft dinamik. Kanë edhe kuadro të profileve të ndryshme. Mund të bisedohet edhe me ta për çështje të ndryshme. Nuk janë aq të rrezikshëm, ose së paku, nuk duhet të paraqiten si të rrezikshëm. Kanë ca lëshime jo aq të vogla. Edhe këta janë kokëfortë dhe janë egocentrik.

Ma merr mendja se, e dinë mirë cilat janë të drejtat e protestuesit. Duhet ta braktisin dhunën. Me dhunë nuk është mirë të veprohet. Këtë e them, nëse demonstruesit bëhen iniciatorë, të parët me përdorimin e forcës. Sepse, ata që e kanë pushtetin, ata e kanë edhe forcën. Dhe është shumë e natyrshme se edhe me forcë mbrohen. Kjo nuk ndodh vetëm me një qeveri të një vendi, por cilado e kudo qoftë.

Masovizmi është me rëndësi. Ai është një prej atyre referendumeve të juaja. Duhet të hiqni dorë nga ngacmimet publike me njerëzit e pushtetit. Ata e kryejnë punën e vet. Maturia është punë me rëndësi. Pse e merrni pa tjetër diçka sipas jush, pa tjetër duhet – fiks kështu. Nuk jeni veç ju. Ajo që është e rëndësishme për ju, e kundërshtoni atë që ua merr mendja se nuk është për ju. Protestoni sa herë dhe mos prani kurrë.

Programi i juaj është i tillë, për bashkimin kombëtar. Po. Ju me siguri e dini sa u përgjigjen të tjerët përreth, duke filluar nga shteti amë zyrtar si dhe pjesët tjera. Çfarë i mendoni ato nisma dhe cilat janë përfundimet? Me kënd, vetëm me vetveten apo pritni edhe më shtimin e ithtarëve…?

Duhet të pëlqehet edhe angazhimi i jashtëm, së paku në mënyrë indirekte. Natyrisht, atë që e dëshironi ju ka edhe të tjerë shqiptarë që e duan. Ajo do të arrihet, por me kujdes. Dhe kujdesin do ta bëjnë spektri i gjerë politik nga institucionet të dalë nga partitë e këtij vendi.