Nuk duhet të bëhen pazare për Ushtrinë e Kosovës
Riprocedimi i amendamenteve për Gjykatën Speciale dhe ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së nuk mund të sillen në një pako për votim në Kuvend. Kundër kësaj mundësie janë deklaruar partitë opozitare.
Për Glauk Konjufcën, Ushtria e Kosovës është diçka që domosdoshmërisht i takon shtetit të Kosovës dhe pazaret për këtë çështje janë të papranueshme. Ai ka thënë se formimi i ushtrisë pengohet nga Lista Serbe, partnerë qeverisës të koalicionit PDK e LDK, raporton KTV.
Sa i përket rikthimit të amendamentit për rivotim në Kuvend, Konjufca tha se ky do të ishte fundi i demokracisë.
Edhe deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj, e ka kundërshtuar mundësinë që FAK-u dhe Specialja të hyjnë si pako për votim.
Ndryshe, shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, mbrëmë, në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se numrat për themelimin e Gjykatës janë, por që sipas tij nuk është mirë të flitet për ta, transmeton Koha.net.
Qysh para sjelljes për herë të parë në Kuvend, ishte përfolur mundësia e dërgimit në pako të Forcave të Armatosura dhe Gjykatës Speciale. Kjo ishte parë si mundësia e vetme nga qeveria që t’i merrte votat e deputetëve serbë, pasi këta të fundit kanë deklaruar disa herë se nuk do të votojnë Forcat e Armatosura të Kosovës.
http://koha.net/?id=27&l=67916


