Nuk do të falen borxhet për energjinë elektrike
Prishtinë, 13 qershor – Borxhet e shumta që konsumatorët ia kanë Korporatës Energjetike të Kosovës nuk do të falen.
Këtë e kanë bërë të ditur zyrtarë të qeverisë, pas shpalljes së kompanisë së preferuar për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit më Energji Elektrike, e njohur në shkurtesën KEDS.Qeveria e Kosovës ka shpallur konsorciumin turk “Limak&Çalik” fitues në tenderin për privatizimin e KEDS-it.
Ky konsorcium ka ofruar 26.3 milionë euro për kompaninë, ndërsa ka premtuar rreth 200 milionë euro investime për periudhën afatmesme.
Fëllanza Hoxha, menaxhere për zbatimin e projektit për privatizimin e distribucionit, për Radion Evropa e Lirë, tha se borxhet nuk falen, por do të menaxhohen nga Korporata Energjetike e Kosovës.
Ajo shpjegoi se në rast të problemeve eventuale, do të arrihet një marrëveshje bashkëpunimi në mes të KEK-ut dhe KEDS-it, në mënyrë që të kenë sukses në grumbullimin e borxheve.
“Këto mjete të grumbulluara do të mbesin në KEK. Mirëpo, nëse borxhi i konsumatorëve është më i lartë se 10 mijë euro, atëherë kompania e re, për shërbime do të faturojë KEK-un për 10 për qind. Ndërsa, nëse borxhet janë më të vogla se 10 mijë euro, atëherë KEDS-i e faturon KEK-un për 25 për qind të borxhit të grumbulluar”, u shpreh Hoxha.
Viktor Buzhala, zëdhënës në KEK, tregoi se janë rreth 400 milionë euro që konsumatorët ia kanë borxh kësaj kompanie për rrymën e shpenzuar gjatë 13 vjetëve të fundit.
Ai përmend disa komuna të Kosovës, që në masë të madhe nuk paguajnë faturat e energjisë së shpenzuar.
“Sigurisht që janë disa komuna që kanë borxh më pak. Komuna e Dragashit është paguesi më i rregullt, pastaj është edhe Komuna e Prishtinës, që paguan rregullisht faturat. Ndërsa komunat më problematike janë komunat veriore të Kosovës, përkatësisht Mitrovica, Podujeva, Vushtrria, por edhe Deçani”, theksoi Buzhala.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se gjatë procesit të tenderimit, autoritete kompetente nuk kanë dhënë informata të duhura se në çfarë mënyre do të zgjidhet problemi i borxhit të grumbulluar.
Krenar Gashi, nga Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP, megjithatë pohon se cilado kompani që mbetet përgjegjëse për menaxhimin e borxhit të grumbulluar, do të përballet më sfida të mëdha në eliminimin fenomenit, siç e quan ai, të borxhit politik, në pjesën veriore të Kosovës.
“Megjithatë, nuk përfundon gjithçka këtu, edhe nëse KEK-u vendos t’i falë borxhet, kompania e cila ka privatizuar distribucionin dhe rrjetin do të ketë shumë vështirë eliminimin e fenomenit të borxheve politike, gjegjësisht mospagesës së energjisë elektrike nga qytetarët serbë, sidomos nga ata në veri të vendit”, thekson Gashi.
Sidoqoftë, pjesa veriore e Mitrovicës, që është e banuar më shumicë serbe, mbetet rajoni më borxhet më të mëdha, pasi që nga përfundimi i luftës KEK-u nuk ka pasur qasje në atë pjesë.
Sipas Viktor Buzhalës, borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës llogaritet të jetë rreth 100 milionë euro.
Në këtë rajon në mënyrë ilegale veprojnë dy operatorë të palicencuar serbë, Elektro Ekonomia e Serbisë dhe i ashtuquajturi “ Elektrokosmet”.
Përfaqësues ilegalë të serbëve të asaj ane tashmë kanë deklaruar se KEK-un nuk e njohin si institucion legal, kështu që faturat e shpenzuara të rrymës vazhdojnë t’ia paguajnë institucioneve paralele serbe.